E Shtunë, 31 Tetor 2026

Balili: Në dosjen tonë, fakte tronditëse për njerëzit e drejtësisë

Gjyqtarja e Krimeve të Rënda, Marsela Balili, e pezulluar dy ditë më parë nga KLD-ja, me një letër drejtuar Presidentit të Republikës Bamir Topi e ka quajtur vendimin si të nxituar. "Vendimi nuk është aspak i shkëputur nga proceset që gjykoheshin nga ana ime dhe vjen në një kohë vendimmarrjesh kyçe për eksponentë të krimit të organizuar", i shkruan Balili kreut të shtetit. Në fillim të letrës thotë se është vënë në dijeni se më datë 02.12.2009, ora 11.00 duhet të paraqitej në KLD që të njihej me një vendim. "Meqenëse në këtë orë zhvillohej një gjykim, ku do të dëshmonte i penduari Adriatik Coli, kam vijuar punën. Në orën 12.30 më paraqitet sërish shkresë nga KLD-ja, ku vihesha në dijeni se isha pezulluar nga detyra dhe ishte hequr imuniteti im si gjyqtare", thotë gjyqtarja, duke shtuar se vendimi ishte marrë dhe vetëm po më komunikohej. Duke mos njohur vendimin e KLD-së, gjyqtarja i është drejtuar kreut të shtetit, duke e cilësuar vendimmarrjen në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe ligjet e rrjedhura prej saj. Sipas saj, askush nuk mund të procedohet si për një çështje penale ashtu edhe për një procedim disiplinor, pa u dëgjuar më parë nga organi i procedurës.
Vendimi i nxituar
Sipas gjyqtares së pezulluar, vendimi është tepër i nxituar, kur rezulton se që prej datës 26 nëntor 2009, Prokurorja e Përgjithshme ka njoftuar KLD-në për materialin procedues. Ajo thotë se vendimi nuk është i shkëputur nga proceset që gjykohen prej saj dhe në një kohë vendimmarrjesh kyçe. "Mjafton të përmend se ditën e nesërme, datë 04.12.2009 (sot), pritej të jepej vendim nga trupi gjykues që unë kryesoja në çështjen penale në ngarkim të të pandehurit Emiljano Shullazi, i hetuar dhe gjykuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale. Në mënyra të ndryshme është tentuar nga aktorët dhe faktorët e kësaj çështjeje që unë të shfaqja mendim në lidhje me pranimin ose jo të kësaj kërkese dhe në respekt të detyrës sime kam pritur datën e gjykimit që të shfaqja mendim dhe të jepja vendim. Papritur me vendimin e djeshëm të KLD-së jam larguar nga dhënia e këtij vendimi vetëm dy ditë përpara", thotë gjyqtarja, duke shtuar se për shkak të detyrës që kryen, ka shqyrtuar kërkesat e hetimit paraprak në ngarkim të Dritan Dajtit, një eksponent tjetër i botës së krimit, i cili prej 6 vitesh shijonte lirinë "në arrati". "Në dinamikën e hetimit të kësaj çështjeje jam informuar nga Prokuroria për Krime të Rënda për gjendjen e procedimit. Materialet e sjella në gjykatë, megjithëse në dosje faktohet se janë marrë tabulatet telefonike të telefonave celularë në përdorim të Dritan Dajtit, janë paraqitur të mangëta. Më datë 10.12.2009, prokuroria do të më informonte përsëri si gjyqtare e hetimit paraprak për këtë çështje, por me vendimin e KLD-së unë përjashtohem nga kryerja e veprimeve të mëtejshme të dosjes", vijon Balili, ndërsa përmend edhe se prej më shumë se një viti e gjysmë, ka gjykuar dosjen e të pandehurve të akuzuar për vrasje e krime të tjera të rënda të kryera në kuadrin e organizatës kriminale në çështjen e ashtuquajtur "Banda e Lushnjës". Ajo thotë se në këtë proces janë shqyrtuar pjesa më e madhe e provave dhe janë marrë vendime jo pak të rëndësishme dhe në një kohë që ekstradohet nga Turqia kreu i kësaj organizate, Alfred Shkurti, përjashtohet nga gjykimi i mëtejshëm i çështjes.
Më tej thotë se prej dy vjetësh ka marrë pjesë në procesin e Bandës së Cërrikut dhe në këtë gjykim janë marrë në shqyrtim prova të një rëndësie vendimtare për çështjen.
Faktet tronditëse
Balili thotë se në të njëjtën mbledhje të KLD-së, që është hequr imunitetin i saj dhe autorizuar fillimi i procedimit penal, është bërë delegimi i menjëhershëm i gjyqtarëve zëvendësues në çështjet e Bandës së Lushnjës dhe Emiljano Shullazit. Më tej shton se Këshillit të Lartë të Drejtësisë i ishte kërkuar që prej dy javësh të delegonte një gjyqtar për çështjen e Emiljano Shullazit, pas dorëheqjes së një prej anëtarëve të trupit gjykues dhe nuk ishte vepruar. "Meqenëse thuhet se unë procedohem për të njëjtën çështje që është proceduar edhe bashkëshorti im Aleksandër Plepi, ju bëj me dije se prokuroria ka kërkuar gjashtë herë në gjashtë Gjykata të Republikës së Shqipërisë burgosjen e bashkëshortit tim. Në përfundim të veprimeve hetimore të prokurorisë, e cila ka rreth 10 muaj që heton mbi çështjen e nisur ndaj bashkëshortit tim, ku janë shpalosur fakte tronditëse për organin e akuzës, hetohem edhe unë si gjyqtare. Të gjitha sa kanë ndodhur me familjen time komprometojnë rëndë luftën serioze kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në vend", thotë gjyqtarja e pezulluar. Në përfundim, i kërkon kreut të shtetit që në lartësinë e detyrës që kryen të konsiderojë sa përmendi më lart.

S.Çobo

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›