E Diel, 1 Nëntor 2026

Abuzuan me ndihmën ekonomike, ndjekje penale për 14 nëpunës

ELBASAN- Prokuroria e Elbasanit dërgon në gjykatë dosjen për 13 punonjës që abuzuan me ndihmën ekonomike. Por hetimet për korrupsion nuk mbyllen me kaq. Në survejim janë edhe raste të tjera për të cilat organi i akuzës është në proces vlerësimi. Rasti në fjalë i përket nëpunësve dhe këshilltarëve të komunës Kukur në Gramsh, ndaj të cilëve është ngritur akuza e vjedhjes me anë të mashtrimit me fondet shtetërore si dhe shpërdorim detyre. Prokurori i Elbasanit, Elvin Gokaj, deklaroi se “pas një periudhe njëvjeçare hetimesh u arrit në përfundimin se nëpunësit e kësaj komune në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë shpërdoruar detyrën dhe kanë vjedhur fondet e shtetit që ishin planifikuar për dhënien e ndihmës ekonomike familjeve në nevojë të kësaj komune. Me anë të deklarimeve dhe me akt ekspertime është provuar implikimi i tyre në këto vepra penale. Dëmi që ata i kanë shkaktuar shtetit është 6 milionë lekë të reja”.

Kryeprokurori Gokaj theksoi se tashmë çështja i ka kaluar gjykatës dhe se ndaj autorëve është marrë masa e sigurisë së arrestit në shtëpi. “Në bashkëpunim mes tyre, nëpunësit e kësaj komune favorizonin njerëz të afërm e të njohur, duke u dhënë ndihmë ekonomike të pamerituar. Sipas kodit penal, për këtë vepër ata rrezikojnë penalizime me gjobë e deri dënime me burg”.

Elvin Gokaj nënvizoi faktin se janë nën hetim edhe raste të tjera në komuna e bashki të prefekturës, pasi ka sinjalizime se drejtues dhe nëpunës të administratës abuzojnë me fondet. “Ne jemi duke vlerësuar të gjitha rastet dhe u bëjmë thirrje qytetarëve që të denoncojnë çdo rast korrupsioni, për të qenë sa më transparent me komunitetin. Prokuroria garanton se të gjitha çështjet e kësaj natyre janë në gjykim e nuk është pushuar asnjëra prej tyre. Detyra e Prokurorisë është që të hetojë e të sigurojë provat e më pas është gjykata ajo që vendos”.

Ndërkohë, të akuzuarit kanë mohuar akuzën që dhënia e ndihmës të jetë bërë me qëllim përfitimi. Sipas dëshmive të tyre, dhënia e ndihmës ekonomike është kryer konform ligjit, në bazë të dokumentacionit të paraqitur nga familjet dhe gjendjes së tyre ekonomike e financiare. F.S.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›