E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga grabitësve, dilnin në rrugë

Sarandë- Arrestohen dy persona, të cilët dy ditë më parë kanë grabitur një makinë në aksin Saranë - Mursi. Sipas burimeve policore, mësohet se rreth orës 13.00, pas një pune intensive dhe të mirëorganizuar është bërë arrestimi në flagrancë i Ismail Garos, 18 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Çukë, të Rrethit Sarandë dhe Besar Hyseni, 24 vjeç, lindur në fshatin Krast, Tepelenë dhe banues në Çukë, të dy të dënuar më parë. Arrestimi tyre u bë për arsye se këta dy persona dyshohen të jenë autorët e vjedhjes me armë të shtetasve A. K. dhe A. V., ngjarje kjo e ndodhur në orën 01:30 të së dielës. Ata janë vjedhur nën kërcënimin e armës, ndërsa ishin duke udhëtuar në aksin rrugor Sarandë-Mursi me automjetin tip “Hyndai” me targa greke. Autorët e krimit kishin bllokuar rrugën me gurë, duke e bërë atë të pakalueshme. Në momentin që automjeti ishte i detyruar të ndalonte, janë shfaqur dy persona të maskuar, njëri i pajisur me armë zjarri tip automatik “Kallashnikov” dhe tjetri me një levë hekuri. Autorët e krimit u kanë marrë A. K. dhe A. V. 4 (katër) copë telefona celularë, një orë dore si dhe një varëse floriri. Menjëherë nga strukturat e Komisariatit të Policisë Sarandë janë kryer hetimet e para hetimore dhe janë kontrolluar banesat e personave të arrestuar, në të cilat janë gjetur sendet e vjedhura si dhe një armë zjarri tip automatik “Kallashnikov” me krehër dhe me fishekë. Të gjendur përballë fakteve dhe provave, personat e arrestuar kanë pohuar kryerjen e krimit. Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë për veprën penale “Vjedhje me armë” e kryer në kushtet e bashkëpunimit. E.H.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›