“Actros”, verifikim pasurive të 10 të arrestuarve në Itali
24/04/2005 Prokuroria e Krimeve të Rënda ka filluar verifikimin e pasurive të personave të arrestuar në Itali disa ditë më parë, gjatë operacionit të koduar me emrin “Actros”. Lajmi është bërë i ditur dje nga burime pranë organit qendror të akuzës, të cilat sqaruan se nga verifikimet e identiteteve të të arrestuarve ka rezultuar se pjesa më e madhe e tyre janë banorë të rrethit të Durrësit. Pas këtij konkludimi mësohet se ka filluar verifikimi i të gjitha pasurive të tyre dhe të të afërmve, të cilat do të vendosen nën sekuestro paraprake. Ndërkaq, prokuroria po heton për gjetjen e bashkëpunëtorëve të tyre në Shqipëri, të cilët dyshohet të jenë edhe krerët e organizatës. Burimet pohojnë se do të identifikohen të gjithë personat që disponojnë numrat celularë, me të cilët të arrestuarit kanë kryer biseda të shpeshta gjatë transportimit të sasive të ndryshme të drogës. Për nëntë muaj me radhë, 10 të arrestuarit kanë qenë nën survejim dhe përgjimin e policisë italiane. Por, ka qenë një tentativë vrasjeje mes të akuzuarve, që ka detyruar policinë italiane të ndërhyjë para kohe. Kostoja e ndërhyrjes së parakohshme për të parandaluar vrasjen ka qenë largimi i tre personave të tjerë, të akuzuar si pjesëtarë të rrjetit, të cilët janë shpallur nën hetim, sqarojnë burimet. Policia italiane arrestoi, nën akuzën e trafikut të drogës në bashkëpunim: Shkëlqim Gashin, Bledar Alvorën, Dajlan dhe Valbona Asllanaj, Fatbardh dhe Fatos Berishën, Eglantina Kandarxhin, Hasan Beçin, Mikel Maznikun dhe italianin Xhulio Luka. Pjesa e fundit e 150 kilogramëshit të heroinës së sekuestruar u gjet në hambarin e anijes “Plava”, e cila ishte prej dy muajsh në Portin e Barit, si pasojë e një avarie.