E Hënë, 2 Nëntor 2026

Prangosen nga policia e Kurbinit dy të kërkuar

24/04/2005  KURBIN- Policia e Kurbinit arreston dy persona të shpallur në kërkim, njëri prej të cilëve shumë i kërkuar për grabitje me armë. Burimet zyrtare të policisë thanë se u ndalua Aleksandër Ndreca, 28 vjeç, lindur e banues në Milot, i cili akuzohet për veprën penale të "vjedhjes me armë në bashkëpunim". Ndreca akuzohet se në bashkëpunim me grupin e Eduard Kalthit, më datë 16 janar të vitit 2004, ka realizuar vjedhjen me armë në vendin e quajtur Skuraj të rrethit të Kurbinit, të disa shtetasve që po udhëtonin me një automjet tip “Ford” me targë të Tiranës. Po ashtu, ai akuzohet dhe për kundërshtim të RENEA-s. Po nga efektivat e këtij komisariati është bërë e mundur kapja e personit të shpallur në kërkim, Lazër Përgjoni, 36 vjeç, me banim në rrethin e Kurbinit, të cilin Gjykata e rrethit Kurbin e ka dënuar me 3 vjet heqje lirie për veprat penale të "falsifikimit të dokumenteve shtetërore dhe dëshmisë së rreme". Gjatë muajve të fundit nga operacionet e organizuara nga Komisariati i Policisë Kurbin, është bërë e mundur kapja e 56 personave të kërkuar, pjesa më e madhe e të cilëve të akuzuar për vepra të rënda penale, si vrasje, vjedhje me armë etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›