E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kuvendi, ja sa duhet të jenë pagat e “të pavarurve“

24/04/2005  Përgatitet projektligji për reduktimin e pagave në institucionet e pavarura

Debati parlamentar mbi pagat në institucionet e pavarura, ka shtyrë deputetët e Komisionit të Ekonomisë të përgatisin një projektligj për përcaktimin e saktë të pagave në këto institucione. “Mungesa e një ligji për piramidën e pagave të funksionarëve të lartë shtetërorë, ka krijuar raste shpërpjestimesh të pagave të titullarëve të institucioneve kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të krijuara me ligj“, kanë bërë të ditur deputetët e Komisionit të Ekonomisë. Projektligji krijon raporte të reja të pagave, jo vetëm në institucionet e pavarura, por dhe në institucionet shtetërore, duke tentuar të ngushtojë hendekun e krijuar deri më sot mes tyre. Kështu pas “alarmit“ të lëshuar nga ministri i Financave në lidhje me pagat e larta të punonjësve në institucionet e pavarura, Komisioni i Ekonomisë mori vendim të kalojë në kompetencat e qeverisë dhe më saktë të Ministrisë së Financave, programimin e fondit të pagave për këto institucione, mbështetur dhe në ligjin mbi pagat. “Pagat në të gjitha institucionet e shtetit shqiptar do të miratohen në bazë të ligjit të pagave, të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë”, deklaroi gjatë miratimit të Buxhetit 2005, kreu i Komisionit të Ekonomisë, Ylli Bufi. Ministria e Financave akuzoi institucionet juridikisht të pavarura se me fondet e ekzagjeruara të pagave, kanë “kontribuar“ në rëndimin e shpenzimeve të buxhetit të shtetit. "Institucionet e pavarura kanë përcaktuar vetë pagat e tyre, që shpesh janë disa herë më të larta se pagat e punonjësve të tjerë të shtetit”, ka deklaruar Ylli Bufi.

Institucionet që qeveria tenton të “nënshtrojë“ me ligjin e pagave, prekin të gjitha Entet Rregullatore, Sistemet e Gjyqësorit nga Gjykata e Faktit deri te Gjykata Kushtetuese, Bankën e Shqipërisë si dhe Bursën e Tiranës. Nisur nga fakti që në këto institucione punojnë specialistë të mirëfilltë, që konsiderohen të mirëpaguar, tentativa e qeverisë për t’ju përcaktuar pagat nuk shikohet me sy të mirë. Sipas kodeve të përcaktimit të pagave, titullari i ministrisë paguhet me 150 mijë lekë të reja, drejtorët e drejtorive dhe specialistët e nivelit të parë përfitojnë paga mbi 75 mijë lekë të reja, ndërkohë që niveli i specialistit të dytë paguhet me 25 mijë lekë. Ministria e Financave ka parashikuar një fond prej 2-2.5 miliardë lekësh për pagat e të gjitha institucioneve të pavarura, por që duket se nuk mjaftojnë, edhe pse është shkurtuar ndjeshëm numri i punonjësve në të gjitha institucionet.

Raportet e pagave sipas projektligjit

Kështu në projektligjin e përgatitur nga deputetët e Komisionit të Ekonomisë, janë përcaktuar dhe pagat që do të marrin të gjithë zyrtarët e lartë, të cilat variojnë nga 89 për qind e pagës së Presidentit deri në 45 për qind e pagës së tij. Për të patur një ide më të qartë mbi raportet që përcaktojnë pagat, mund të thuhet se paga aktuale e Presidentit është 227.500 lekë të reja në muaj. Pikërisht, kjo është shuma ku janë referuar raportet, që, më pas me një kalkulim të thjeshtë nxjerrin pagën e çdo zyrtari të lartë. Kështu mund të thuhet se pas Presidentit, pagat më të larta janë të Kryetarit të Parlamentit, Kryeministrit dhe Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, të cilët marrin 89 për qind të pagës së Presidentit. Rroga më pak të larta kanë zv.kryetarët e Qeverisë, Parlamentit dhe Avokati i Popullit, së bashku me kreun e KLSH–së, të cilët marrin 73 për qind të pagës së Presidentit. Sipas relacionit që shoqëron projektligjin për “Pagat dhe Shpërblimet në strukturën e institucioneve të pavarura”, bëhet e ditur se pagat e funksionarëve të lartë shtetërorë si dhe të institucioneve të pavarura që punojnë me mandat të plotë, u përcaktohet paga në raport me pagën e Presidentit. Duke iu referuar pikërisht këtyre raporteve të miratuara me ligj në parlament, përcaktohen dhe nivelet e pagave të punonjësve part-time si dhe shpërblimet.

Pagat në institucionet qeveritare

Ministri 150 mijë lekë

Zv.ministri 120 mijë lekë

Drejtori i Drejtorisë 100 mijë lekë

Specialisti i parë 75 mijë lekë

Specialisti i dytë 25 mijë lekë

Pagat

Kryetari i Kuvendit 202.475 lekë

Kryeministri 202.475 lekë

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese 202.475 lekë

Nënkryetari i Kuvendit 166.075 lekë

Zëvendëskryeministri 166.075 lekë

Avokati i Popullit 166.075 lekë

Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit 166.075 lekë

Kryetari, zv.kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor 166.075 lekë

Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese 166.075 lekë

Ministri 154.700 lekë

Inspektori i Përgj. Inspektoriatin Deklarimit Pasurive 154.700 lekë

Pagat

Zv.kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë 154.700 lekë

Kryetari i Akademisë së Shkencave 154.700 lekë

Deputeti 138.775 lekë

Kryetari i Komisionit të Shërbimit Civil 138.775 lekë

Kryetari i Komitetit për Kthimin, Kompensimin e Pronave138.775 lekë

Kryetari i Komisionit të Autoritetit Konkurrues 138.775 lekë

Kryetari i Entit Rregullator të Telekomunikacionit 138.775 lekë

Kryetari i Entit Rregullator të Energjisë 138.775 lekë

Kryetari i Entit Rregullator të Furnizimit me Ujë 138.775 lekë

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Radios e Televizionit 138.775 lekë

Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve 138.775 lekë

Pagat

Anëtari i Komisionit të Shërbimit Civil 125.125 lekë

Komisionerët e Avokatit të Popullit 125.125 lekë

Drejtori Ekzekutiv i Komisionit të Letrave me Vlerë 125.125 lekë

Anëtarët e Komitetit të Kthimit e Kompensimit të Pronave 125.125 lekë

Zv.kryetari i Këshillit të Radios dhe Televizionit 102.375 lekë

Anëtari i Entit Rregullator të Energjisë 102.375 lekë

Anëtari i Entit Rregullator të Furnizimit me Ujë 102.375 lekë

Anëtari i Entit Rregullator të Telekomunikacionit 102.375 lekë

Anëtari i Komisionit të Konkurrencës 102.375 lekë

Kush janë institucionet e pavarura

Institucioni i Presidentit

Kuvendi i Shqipërisë

Avokati i Popullit

Gjykata Kushtetuese

Kontrolli i Lartë i Shtetit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve

Komisioni i Shërbimit Civil

Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurive

Autoriteti i Konkurrencës

Komisioni i Letrave me Vlerë

Enti Rregullator i Telekomunikacionit

Enti Rregullator i Energjisë

Enti Rregullator i Furnizimit me Ujë

Këshilli i Lartë i Drejtësisë

Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit

Komiteti Kombëtar për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›