Dyshimi, shqiptarë të implikuar në trafik armësh, strehohen në Mal të Zi
24/04/2005 Prokuroria shqiptare në bashkëpunim me homologen e saj malazeze, ka identifikuar personat e dyshuar si organizatorë të rrjetit të sigurimit dhe trafikut ndërkombëtar të armëve dhe lëndëve plasëse. Kështu mësohet se në Mal të Zi dyshohet se veprojnë dhe organizojnë trafikun edhe shtetas shqiptarë, me rezidencë në këtë vend. Ata dyshohet se krijojnë lidhjet mes furnizuesve malazezë të lëndëve plasëse e armëve me trafikantët shqipatarë. Lajmi është bërë i ditur dje për gazetën “Metropol“, nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat sqaruan se operativisht janë siguruar informacione për shqiptarë me rezidencë në Mal të Zi, të cilët organizojnë trafikun. Burimet shtojnë se po punohet për sigurimin e provave materiale ndaj tyre. Ndërkaq, mësohet se të dyshuarit kanë lidhje miqësore me shtetas shqiptaro-malazezë, me anë të të cilëve kanë siguruar edhe njohjet. Burimet thonë se prej tri ditësh, hetues të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, kanë shkuar në Mal të Zi, për të zgjeruar hetimin rreth trafikut të lëndëve plasëse dhe kontrabandës së 3 milionë e 590 mijë paketave cigare, që u sekuestruan disa javë më parë në Durrës. Si qëllim i kësaj vizite të prokurorëve shqiptarë në Mal të Zi, mësohet të jetë marrja e informacionit për ngarkesat e mëparshme, që mund të ketë kryer anjia “Eni“, me të cilën është kryer edhe transportimi i 4 milionë dollarëve cigare. Kjo me qëllim ballafaqimin e këtyre ngarkesave të anijes “Eni“ me ato të zhdoganuara në Portin e Durrësit. Ndërkaq, hetuesit do të shkëmbejnë informacione me homologët malazezë rreth organizatorëve të trafikut të lëndëve plasëse.