E Shtunë, 31 Tetor 2026

Adami dhe Evelina, një dashuri e ndarë nga muri i Berlinit

20 vjet më parë, në verën e 1989-ës, shpresat e rinisë së Gjermanisë Lindore mbanin frymën pezull përtej Murit të Berlinit që ndante më dysh gjermanët vetë, me shpresa jo dhe shumë të ndryshme nga ato të rinisë shqiptare në vitet ‘90-‘91. “Adami dhe Evelina” romani më i ri i shkrimtarit gjerman, Ingo Schulze, dikur gazetar në Republiken Demokratike Gjermane, rrëfen historinë e Adamit, rrobaqepësit nga provinca e RDGJ-së që ndjek të dashurën Evelinën deri në liqenin Balaton në Hungari për të shpëtuar lidhjen e tyre. Me pak gjëra me vete e shumë shpresa, protagonistët udhëtojnë pas hapjes së kufirit dhe arrijnë më në fund në Bavari.
Ardian Klosi Përkthyes i Librit
“Krijohet një konflikt shumë i madh kur vjen në Perëndim ku nuk i duan rrobat me porosi dhe ai është një rrobaqepës i specializuar për gra. Dhe është praktikisht i papunë. Më shumë se nostalgji është një vështirësi për t’u adaptuar. Por nuk është vetëm historia e Adamit, ka edhe fate të tjera njerëzish dhe sidomos temat e përjetshme si dashuria, në një mjedis dhe në një kohë të caktuar. Schulze ka bërë një eksperimentim me këtë roman, e ka ndërtuar mbi dialogje dhe gjithçka të duket sikur e sheh nga fillimi deri në fund si në një film.”
Adami dhe Evelina, i publikuar vetëm një vit më parë nga Schulze, është përkthyer deri më tani në 20 gjuhë. Në mbrëmjen letrare të organizuar në Ambasadën Gjermane në ditët e Tetorit Gjerman, u interpretuan pjesë nga dialogjet e romanit nga përkthyesi Ardian Klosi dhe aktorja Valbona Imami. Ingo Schulze do të vizitojë Shqipërinë në janar të 2010-ës në kuader të një udhëtimi letrar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›