E Diel, 1 Nëntor 2026

Adela e Bjordi, ofertan joshëse nga televizionet,“Top Media”: Më parë të zgjidhin problemet ligjore

 

Ermira Shpetimi

Skualifikimi i Adelës tek kompeticioni i kërcimit, ngjalli jo pak diskutime për ndjekësit e programit “E diell” dhe sidomos për adhuruesit e çiftit Bjordi dhe Adela të cilët u bënë të njohur dhe të pëlqyer falë programit “Big Brother”. Por ikja demonstrative e Bjordit gjatë transmetimit direkt të një programi, duket se ka nxehur keq drejtuesit e këtij televizioni. Përballë kësaj situate, kur njëra skualifikohet dhe tjetri zgjedh braktisjen e një projekti për të cilin ka firmosur një kontratë, mesa duket gjërat janë komplikuar.
Mbas dy javësh që të rinjtë tashmë nuk kanë asnjë projekt konkret me “Top Channel”, drejtues të televizioneve të tjera, iu kanë propozuar angazhime tunduese, madje për të qenë edhe moderatorë në programe të rëndësishme të darkës. Sipas burimeve tona, çifti nuk ka bërë akoma asnjë hap, por po vlerëson akoma me qetësi propozimet, derisa të zgjedhin diçka të përshtatshme për ta. Por nuk është edhe kaq e lehtë pasi, edhe nëse “Top Channel” nuk e ka ndërmend t’i aktivizojë diku tjetër, Bjordi dhe Adela kanë firmosur disa kontrata me këtë televizion. Kontrata e parë është e njëjtë për të dy dhe është firmosur para se ata të futen në “Big Brother”. Kjo kontratë ndër të tjera parashikon ekskluzivitetin e pjesëmarrësve për një vit dhe penalitete nëse ata angazhohen diku jetër. Ndërsa kontrata tjetër është me programin “E diell”. Për të kuptuar më shumë rreth kësaj çështjeje në dukje disi e ngatërruar, ne pyetëm nëndrejtorin e “Top Channel”, zotin Adrian Proko. Ai tregon se mbas skualifikimit, Adela është e lirë nga kontrata me “E diell”, duke mos u konsideruar më pjesë e këtij programi dhe natyrisht duke mos u paguar më, por ajo nuk është e lirë nga kontrata me “Big Brother”. Ndërsa Bjordi, sipas Prokos do të ketë penalitete, pasi ai la në mes një program. E përtej gjuhës së ngurtë të shkresave, natyrshëm lind pyetja për këtë drejtues të lartë të “Top Channel”: A do të jenë ata pjesë e ndonjë projekti në Top Media apo konsiderohen tashmë të përjashtuar prej andej, duke patur parasysh se si rrodhën ngjarjet? Proko pohon: “Ne si kompani nuk përjashtojmë askënd, duke iu përmbajtur shprehjes “kurrë mos thuaj kurrë”, por ama për momentin nuk kemi asnjë plan për Bjordin dhe Adelën, nuk shohim një mundësi momentale të angazhimit të tyre këtu”. Ndërkohë, tani që përflitet aq shumë për mundësinë që Adela dhe Bjordi të shfaqen në një ekran tjetër, Proko ka këtë përgjigje: “Ata janë të lirë të shkojnë ku të duan por më përpara duhet të zgjidhin problemet ligjore me televizionin tonë”. Edhe pse e dimë mirë që po flasim për një ekran i cili si me magji arrin të ngrejë këdo që angazhohet me projekte të rëndësishme, në lartësi marramendëse, gjithsesi duket pak e çuditshme se si ata nuk e marrin në konsideratë faktin se Bjordi dhe Adela kanë tashmë një audiencë të gatshme, të paduruar për t’i riparë në ekran dhe për të bërë tifo për ta, ashtu si një herë e një kohë në “Big Brother”.
Dhe propozimet e menjëhershme nga televizionet e tjera, natyrisht që kanë të nënkuptuar joshjen e madhe për ta thithur këtë audiencë  në ekranet e tyre, pasi dihet mirë që sukses do të thotë vëmendje dhe mbi të gjitha adhurim i publikut ndaj individëve që një drejtues përzgjedh për të “zotëruar” ekranin e tij.  Pikërisht këtë arsyetim e sollëm edhe në vëmendjen e Prokos, duke e pyetur nëse ai ndjen keqardhje të largojë dy të rinj të cilët ata vetë i bënë kaq popullorë, me një vëmendje mediatike për t’u patur zili edhe nga mjeshtrat e botës shqiptare të showbizit. Proko thotë: “Unë dëshiroj që t’i shikoj lart e më lart Bjordin dhe Adelën pasi e di mirë se gjithmonë do përmendet fakti se ata janë produkt i joni, por ama televizioni arrin të bëjë po kaq të famshëm edhe ish banorë të tjerë po të investojë fort për ta, madje edhe për një javë, pasi një televizion e ka këtë fuqi”.
Nuk e dimë nëse ndajnë të njëjtin mendim me Prokon, të gjithë ata që pëlqejnë çiftin Bjordi dhe Adela, por gjithsesi nga letrat dhe email-et e shumta që na vijnë në redaksi (gjë që ne na obligon  të shkruajmë çdo herë për ta ), duket qartë padurimi që ata kanë për të parë më në fund në një ekran, të rinjtë që u njohën dhe u dashuruan para syve të të gjithë shqiptarëve. Të shohim se çfarë zgjidhjeje kanë menduar ata të dy, pavarësisht kontratave dhe problemeve të cilat gjithsesi nuk mund të pengojnë askënd që të punësohet dhe mbi të gjitha të paguhet diku gjetkë.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›