Cana s’u trembet kartonëve: Ky është stili im
Leonard Karaj
Lorik Cana ka pohuar se nuk do të ndryshojë stilin e tij të lojës te Sanderlendi për shkak të kartonëve të shumtë që ai ka koleksionuar në 10 ndeshje në Premier League. Ndëshkohet vazhdimisht me kartonë, kjo edhe për faktin e luan në një pozicion ku ndërhyrjet ndaj kundërshtarëve janë të pashmangshme. Shpesh herë është kritikuar (sidomos në kombëtare) por Lorik Cana mbetet i të njëjtit mendim: "Nuk do ndryshoj stilin tim të lojës, pavarësisht nga kërcënimi i pezullimit, për shkak të kartonëve të shumtë të verdhë". Në dhjetë ndeshje, Cana ka marrë katër kartonë të verdhë, çka e ka lënë atë një ndeshje të pezulluar. Dhe pezullime të këtij karakteri për Canën, në fakt duken të pashmangshëm. Trajneri Brus ka thënë se kapiteni i tij bën mirë që vazhdon të luajë në mënyrë agresive, fort, pa marrë parasysh se gjyqtarët nuk ia kursejnë kartonët e verdhë. "Kjo është një muzikë, me të cilën janë mësuar veshët e Canës", ka perifrazuar trajneri i Sunderlandit.
Ndërkohë, në lidhje me këtë gjë, vetë Cana ka pohuar se do të vazhdojë të jetë po ai lojtar, me agresivitetin dhe lojën luftarake. "Nuk jam lojtari i parë që marr katër kartonë të verdhë. Jap maksimumin në fushën e lojës, për ta ndihmuar skuadrën, pasi jam edhe kapiten, prandaj nuk mbaj asnjë rezervë. Kjo e fundit është diçka e rëndësishme për karakterin tim si futbollist", ka thënë Cana. Në ndeshjen e radhës, nisur nga fakti se Li Katermol vuan akoma dëmtimin në gju, ka të ngjarë që Lotiku të kthehet në mesfushë. "Kam luajtur në mesfushë, sepse është roli im natyral. Prandaj, ky nuk është një pozicion i ri për mua. Kam shumë përvojë në qendër të mbrojtjes, si në ekipin tim kombëtar, ashtu edhe nganjëherë në ish-klubin tim, Olimpik Marsejë. Megjithatë, kjo do të jetë hera e parë që do të luaj si mesfushor për Sanderlandin".
Ndërkohë, Cana nuk mund të rrijë pa folur edhe për ish-shokun e tij të skuadrës te Marseja, Bolo Zenden, i cili ka firmosur edhe ai për Sunderlandit vetëm disa ditë më parë. "Kam luajtur me të në Marsejë dhe jam i befasuar që e shikoj sërish në krahun tim. Ai është një lojtar fantastik, me përvojë të madhe, dhe do të na ndihmojë shumë", ka përfunduar Cana.