E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestimi i Artan Kristos,myslimanët peticion Obamës

 

DURRES/ OERD ULQINI

I akuzuari nga Pro-kuroria shqiptare për nxitje të veprimtarive terroriste dhe xhihad, do të mbetet në qeli në dispozicion të drejtësisë. Këtë ka vendosur trupi gjykues i gjykatës së Faktit në Durrës, i cili zhvilloi seancën për masën e sigurisë ndaj të pandehurit Artan Kristo. Ashtu sikurse në Tiranë, edhe përpara togave të zeza të Durrësit, Muhamed Abdullah është vetëdeklaruar i pafajshëm. “Prokurori nuk i kupton ato fjalë. Jam i pafajshëm, nuk meritoj të qëndroj pas hekurave”, u shpreh Kristo në gjykatë. “Jam i sëmurë dhe së shpejti pres të bëhem baba për herë të tetë”, ka deklaruar ai, duke kërkuar masë më të butë. I ashpër ka qenë reagimi i avokatit Ilir Malindi, i cili tha se “klienti i tij nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka shkruar në internet vargjet e kuranit, librit të shenjtë islam”. Ai këmbënguli se akuzat janë të sajuara nga shërbimet sekrete, të cilat dështuan në tentativën e tyre për të rekrutuar Kriston. Malindi bëri me dije se po shkeleshin në mënyrë flagrante të drejtat e njeriut dhe se përgjimet e SHISH-it janë të paligjshme, ndërsa iu refuzua kërkesa për njohjen me to nga organi i akuzës. I akuzuari është mbrojtur duke thënë se fjalët janë shkëputur nga konteksti. Nisur nga përfundimi i seancës së djeshëm dhe arrestimi i Artan Kristos, avokati i tij, Ilir Malindi pritet të depozitojë së shpejti një kallëzim penal për ata agjentë sekretë, të cilët sipas tij kanë sajuar akuzat ndaj klientit. Malindi deklaron se “fjalimi prej 60 minutash që zotëron prokuroria nuk përmban asgjë tjetër veçse leksione nga Kurani, të cilat pedagogu Kristo, ua shpërndante studentëve të islamit”. Në kallëzimin penal që do të depozitojë mbrojtja e Kristos do të shënjestrohen ata agjentë sekretë të shërbimit shqiptar, të cilët kanë transkriptuar vargjet nga Kurani, të marra në adresën elektronike. Mbrojtja pretendon se transkriptimi i keq qëllimshëm dhe shkëputja e frazave është një makinacion për të inkriminuar me pa të drejtë islamikun. Malindi shtoi më tej akuzat ndaj shërbimeve inteligjente duke argumentuar se “rekrutimi i klerikëve ndalohet me ligj”. Ai paralajmëroi se çështja ndaj Artan Kristos, i cili sipas tij akuzohet pa asnjë bazë do të jetë fillimi i një peticioni të nënshkruar nga mijëra e mijëra besimtarë myslimanë shqiptarë, i cili do t’u dorëzohet personaliteteve nga Bamir Topi e deri tek Barak Obama. Përsa i përket raportit mjekësor, Malindi tha se u ka dorëzuar trupit gjykues diagnozën e Artan Kristos, i cili vuan nga një defekt i lindur në zemër dhe që ka nevojë për kura intensive. Ndërkohë që ai pret të bëhet baba për herë të tetë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›