Sukaj: Pres një ftesë ndaj Estonisë
Sulmuesi shqiptar i skuadrës turke te Orduspor, Xhevahir Sukaj është duke kaluar një forme të mirë këtë fillim kampionati. Ndaj ai shpreson që së shpejti të rikthehet edhe në ekipin Kombëtar. “Aktivizimi me këtë ekip me ndihmon, pasi kanë një nivel të kënaqshëm. Shpresoj dhe jam optimist se forma që po kaloj me skuadrën si dhe lojërat që kam zhvilluar do të jenë një ndihmesë dhe një reagim pozitiv për një afrim në skuadrën Kombëtare, duke pasur parasysh edhe dëshirën e trajnerit për të testuar lojtarë me perspektive për të ardhmen”, ka pohuar Sukaj, i cili ka shënuar 1 gol në kupë dhe një në kampionat. Më tej shkodrani i lëshon një mesazh trajnerit kuqezi me idenë se ai do të hedhë edhe një herë sytë nga Sukaj. “Unë shpresoj me gjithë zemër që trajneri Kuzhe të më japë një mundësi që të tregoj vlerat e mia. Jam gati të bëj më të mirën që të vesh përsëri fanellën e Kombëtares. Mendoj se paraqitjet e mira në kampionatin turk dhe në kupë mund të më ndihmojnë të konsolidoj një vend në përfaqesuesen e Shqipërisë”, theksoi sulmuesi shkodran.