Te Shkëmbi i Studentit
Kjo ishte një vdekje e çuditshme. Një muaj pas saj dhe babai kishte bërë përpjekjet e veta. Me anë të njerëzve të tij gjeti mundësinë t'i shkonte Prokurorit të Përgjithshëm në shtëpi. Ai e priti mirë dhe dëgjoi ankesën e babait. Babai i tregoi ngjarjen si ia kishin thënë. Ajo ndodhi më 15 gusht, rreth orës 12 e 30 minuta. Rreth orës një të asaj dite është nxjerrë nga uji, i kanë hedhur sipër një kanotiere dhe e kanë lënë shtrirë përdhe deri në orën nëntë te darkës, që të vinte mjeku ligjor. Kjo zonë i takonte Krujës. Mjekun mezi e gjetën, prandaj dhe e lanë aq orë mbërdhe. Pastaj ai është çuar në spitalin civil, ku i është bërë autopsia. Babai shtroi dy çështje. Pakujdesia e hetusisë së Krujës, sepse pas dy ditësh Mani solli copa sapunësh, gjë që këtë duhet ta kishte bërë hetusia. Duke e lënë kaq gjatë, natën, ajo hetusi nuk kishte çfarë të shihte dhe se Dhori Hanxhari, i vetmi dëshmitar në vendin e ngjarjes nuk u muarr në pyetje, por iu dha leje të shkonte dy javë në shtëpi se ishte tronditur. Prokurori i quajti të drejta ankesat e babait, ia kërkoi me shkrim dhe kur babai ia dorëzoi ato në zyrë, ai i kërkoi babait lejen që të rihapej varri, për t'u bërë përsëri ekspertiza. Babai pranoi. Kaloi një muaj, asnjë përgjigje. Babai shkoi në Prokurorinë e Përgjithëshme. Atje i thanë se prokurori ishte transferuar në Vlorë dhe se çështja i kishte kaluar zevendës prokurorit. Ai i kishte tërhequr vemendjen hetusisë së Krujës për neglizhencë dhe i tha babait se hetusia e Krujës nuk pranon të rihapet varri. Çështja u mbyll...
Kishin kaluar dy vjet, erdhi përsëri 15 gushti. Kisha vendosur të shkoja vetë në vendin e ngjarjes. Rrugën e dija, kisha qenë para se të ndodhte ngjarja. Ushtari, që qëndronte tek dera, më shoqëroi tek oficeri i rojes. Iu paraqita se cila isha dhe kërkova të shkoja në vendin ku vdiq im vëlla. Dy veta, një ushtar dhe një oficer, erdhën me mua. Të tre do të bënim atë rrugë, që bëri Shpëtimi me Dhorin para dy vjetësh. Rruga ishte gjithë pluhur, ishte vapë. Nuk ishte e asfaltuar, në të kalonin makina ushtarake. "Ku shkojnë këto?", pyeta unë. "Në Krujë, tha oficeri, këtu kalojnë vetëm makina ushtarake, sepse është zonë e ndaluar". Rruga ishte sipër, poshtë gjarpëronte lumi i Ndroit, i hollë, i ngushtë, si një përrua. "Kaq pak ujë ka gjithmonë?", e theva unë heshtjen. "Jo, por gjatë verës ky thahet dhe ngelet me fare pak ujë". Në të dy anët e lumit shtrihej një zallishte gjithë gurë të bardhë e gri. Ulemi, dhe oficeri më tregoi një gurë buzë rrugës. "Faleminderit, po nuk jam lodhur" thashë unë, se kisha hall ta llogarisja tamam kohën. Kishim mbi një gjysmë ore që ecnim. "Ju e dini vendin?", pyeta unë, ashtu kot. "Ushtarët e quajnë tani Shkëmbi i Studentit", tha oficeri. As lumi, as rruga nuk më kishin tronditur kaq sa kjo fjalë. "Vendi i Shpëtimit", thashë me vete, as i gjallë as i varrosur.
Ecëm dhe ca. "Këtu është!", shqiptoi mengadalë oficeri. Aty poshtë zvarrisej vija e hollë e lumit. Ishte dhe një gropë uji. Për të zbritur nga rruga për të vajtur atje ishte shumë e vështirë. Buza e rrugës ishte gjithë ferra dhe dheu rrëshqiste. Tamam shteg dhish. Më mbajtën të dy nga duart, oficeri dhe ushtari, deri sa zbrita. Ishte një gropë uji sa një dhomë. Sapo fillonte kishte aty një shkëmb të sheshtë, dhe një shkëmb shumë të lartë në fund të saj. Ky ishte vendi që kishte zgjedhur Shpëtimi për të xhiruar një film. E pamundur! Pastaj Dhori ishte mjek, ç'mendim do t'i jepte atij? Oficeri dhe ushtari ishin larguar pak më tutje.
Qetësi. Vija e lumit, ku Mani gjeti copat e sapunit, vinte deri tek gropa. Futa këmbën në të, jo më shumë se 25-30 cm e thellë. Iu afrova gropës, ajo ishte me ujë të kthjellët dhe dukej se ishte e thellë. Në këtë vend të gjitha mund të bëhen, vend pusí. Kisha ecur mbi dyzet minuta, pra, po të llogarisje gjithë rrugën që bëri atë ditë Shpëtimi, ishte rreth një orë. Pra një orë rrugë për të larë ca ndërresa, një orë në piskun e vapës. Dhori i thotë të kthehen, po Shpëtimi i mbush mendjen se është një vend fantastik. Pastaj thirrja: "Ku e çuat Shpëtimin?". Shpëtimi e pruri Dhorin apo Dhori e pruri Shpëtimin? Si u gjend autombulanca në këtë vend. Sipas Dhorit, Shpëtimi është hequr i pari me autombulancë, se tha: "Kur pashë rripin e tij unë u trondita". Në hetusi nuk del autombulanca.
Thuhet se ngjarja ndodhi rreth orës 12 e 30, mbase dhe më parë, po një gjë dihet se atë kohë ka rënë zjarr dhe studenëtët kanë shkuar të shuajnë zjarrin. "Kur u kthyem ne, treguan shokët e tij më vonë, muarëm vesh se çfarë i kishte ndodhur Shpëtimit". Ç'ishte ky zjarr? Për të larguar vemendjen nga ngjarja? Për mendimin tim dhe zjarri ka qenë i planifikuar, u dogjën ca mullarë me kashtë. Mendoja se ky vend do të më trondiste, përkundrazi po më ndihmonte të zgjidhja enigmën. Një vend pusí. Shpëtimi nuk kishte bërë një orë rrugë për të ardhur për të vdekur. Ata diçka kanë bërë. Po se çfarë, unë akoma nuk e kisha të qartë.
……………………………
Është një bllok me kapakë të zinjë, që Shpëtimi e kishte me vete. Ështe një lloj ditari me data dhe ngjarje të dhëna shkurt. Pas ngjarjes, Ana na e kërkoi, se në pjesën më të madhe flitej për të. Nuk ia dhashë. Para se të fillonte zborin, Shpëtimi ishte në qytetin e vogël, në familje. Nga ditari del se atje ka shkuar për ta takuar dhe Ana. Aty thuhet se ajo herë pas here shkon në postë. Shpëtimi shkruan: "si zakonisht, biseda me nënën e shqetësuar".
Ajo, që të bën të mendosh, është data katër korrik. Me një shkrim të imët, se edhe shkrimin e ndryshoi sipas një stili të vetin, ai shkruan: "Natë. Një makinë që më ndjek. U fsheha në një kanal. Njerëzit që më kërkojnë. Qentë që lehin për mua". Mbetesh e çuditur. Është koha kur ndodhet në zbor. Kjo ngjarje i ka ndodhur vetë Shpëtimit apo është ndonjë fragment nga drama e tij, nuk e di. E kam lexuar me dhjetëra e dhjetëra herë, prapë nuk di ta spjegoj.
Ky bllok, së bashku me dramën që kishte marrë ta shkruante në zbor, u ruajt qysh atë ditë nga Madu Marko. Kur ia dorëzoi Petritit, vëllait, ai i kishte thënë: "Kur të dal që këtej do të flas". Një ditë, duke qëndruar tek dritarja e redaksisë, pashë të ulur tek ndërtesa e një arke kursimi, aty në rrugën e Durrësit, Madun. Ai e kishte mbaruar zborin. Zbrita nga kati i tretë dhe shkova e takova.
Ai binte era raki. "Paske pirë", i thashë me keqardhje. "Po ç'të bëj tjetër?", tha dhe më shikoi i dëshpëruar me ata sytë e tij të zinjë. "Shko në shtëpi", e këshillova. "Më kanë caktuar në Vlorë, më kanë hequr nga Tirana. Duhet të punoj atje". "Do të të përcjell?", e pyeta. "Jo, jo, tha ai, shkoj vet. Do të flasim, tha ai, do të vij të të takoj në gazetë". I tunda kokën. Madu nuk erdhi të më takoj. Pas ca kohësh, kur vendosa ta takoja vetë, më thanë se e kishin arrestuar. Kurrë nuk e mora vesh se çfarë dinte ai që donte ta thoshte jashtë telave të kampit ushtarak. Atë ditë, që e pashë, nuk ishte koha për të bërë të tillë bisede, m'u dhimbs si të ishte im vëlla. Dukej i dëshpëruar. Mbase atë kohë e ndiqnin. Ai shkruante poezi dhe kishte mbaruar për gazetari së bashku me Shpëtimin. Ishin vitet kur më tepër se kurrë u arrestuan artistë. U arrestua Visari, poet; Maksi, Edisoni, Aliu, piktorë; Minushi, dramaturg; Mihallaqi, regjizor; Sherifi, këngëtar. Dhe në këtë kohë vdes dhe Shpëtimi.
Ishin kohë të rënda, nuk dije me kë rrije, kush ishte ai që të paraqitej si mik e shok. Vazhdonin të krijonin skenarë me armiq dhe njëkohësisht vazhdonin plenumet halucinante të partisë. Shqipëria zvarisej me portretet e udhëheqësve nëpër festa zyrtare. Portrete të mëdhenjë, që i mbanin punëtorët, katër veta një portret. Të gjitha fytyrat si të prera me një gërshërë, mediokër, makutër, vrasës, tek tuk ndonjë dhelpër. Në darkë kryeqyteti i kishte udhëheqësit në fasadat e ndërtesave, si të ishin artistë kinemaje. Bëhej një lloj reklame me ta. Shpesh nga vendi ku vendosej portreti mund të gjykoje se si do t'i vinte filli këtij apo atij.
Pjesë nga “Ku e çuat Shpëtimin”. Titulli redaksional