Adem Karaga: Si mbijeton teatri shqip në Maqedoni
Alma Mile
Drejtimi i një institucioni, qoftë ky edhe kulturor, nuk është puna më e pëlqyeshme për të. Një aktor me zë prej basi dhe me një shqipe letrare, për t’u pasur zili, të cilin e kemi parë në skenën e teatrit dhe ekranin e kinemasë, Adem Karaga thotë me keqardhje se i është larguar disi profesionit. Por siç thotë ai, ka edhe ca punë që duhen marrë përsipër për hir të një qëllimi më të madh. Tanimë Karaga është drejtor i Teatrit Shqip të Shkupit dhe i duhet të përballet me problemet, me të cilat ndeshet çdo ditë një institucion kulture, duke filluar që me financat, gjithnjë të pamjaftueshme, me përplasjet me institucionet politikëbërëse maqedonase, që i trajtojnë si “fëmijë jetimë”, për të kaluar tek ato më artistike që lidhen me përcaktimin e kalendarëve, veprave që duhen vënë në skenë, etj. Ai pranon se të bësh teatër shqip në Shkup, nuk është aspak e thjeshtë, megjithatë “kjo nuk na pengon që të punojmë”. Saraga ndodhet në Tiranë me rastin e nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit mes Teatrit Kombëtar të Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit. Ai e konsideron këtë një “bashkim forcash”, që do mundësojë realizimin e projekteve të përbashkëta.
Është folur edhe më parë për bashkëpunime mes tri teatrove, por asnjëherë nuk ka funksionuar, pse mendoni se kjo është hera me “fat”?
Është momenti për një qasje shumë serioze institucionale mes këtyre tre qendrave dhe mendoj se tanimë jemi në rrugë të mbarë për ta arritur këtë qëllim. Është e vërtetë se edhe më parë ka pasur tentativa të tilla, ka pasur edhe firmosje, por këtë herë besoj se kemi një strategji shumë të qartë, ku duam t’i kanalizojmë këto vlera. Mendoj se përfundimisht ky bashkëpunim do të fillojë të funksionojë në formën më të përkryer. Natyra e punës është specifike, por me një mbështetje institucionale, ky bashkëpunim do të funksionojë.
Ku konsiston më konkretisht ky memorandum?
Ky lloj memorandumi përcakton kornizën e fushëveprimit tonë, në sferën e këmbimit të shfaqjeve, të repertorit që mund të përcjellim në Prishtinë, në Shkup, apo Tiranë. Kjo është një mënyrë që shfaqjet tona të konsumohen e të shijohen nga një publik më i gjerë. Gjithashtu, memorandumi parashikon realizimin e bashkëprodhimeve, të cilat në sferën financiare, mendojmë se do t’i përballonim me kosto më të vogël. Mund ta quajmë këtë një bashkim forcat për të materializuar një projekt dhe ma thotë mendja që edhe vlera e këtij projekti, detyrimisht, çfarëdo lloj qoftë ai, do jetë me e mundshme dhe e realizueshme.
Sa e vështirë është të drejtosh një teatër shqiptar në një shtet, ku shqiptarët e maqedonasit edhe festat i festojnë të ndarë?
Realisht nuk është e lehtë. Nuk mund të distancohemi nga aktivitetet që zhvillohen atje. Mundohemi të jemi pjesë e jetës kulturore, të paktën përpiqemi për të qenë. Gjuha dhe kultura jonë na lë pak anash në planin institucional dhe shtetëror, por kjo nuk është pengesë që ne të mos punojmë.
Sa e gatshme është qeveria maqedonase për të mbështetur institucionet kulturore shqiptare?
Është momenti që edhe qeveria maqedonase të kuptojë se ka taksapagues shqiptarë dhe kontributi i tyre duhet të shpërblehet në mënyrë dhe në vlerë konkrete. Këtu kuptoj rrafshin ekonomik dhe atë kulturor të shprehur me anë të produksioneve të ndryshme në teatër, muzikë, etj.
Ku bazohet më së shumti kalendari artistik i Teatrit të Shkupit, në krijimtari kombëtare, të huaj...?
Ndonjëherë termi “kombëtar” keqkuptohet. Sepse flasim për institucione kombëtare, vepra kombëtare, autorë kombëtarë... Teatri vetë si natyrë ka shumë vlera. Pa anashkaluar autorët shqiptarë, ne bazohemi tek vlerat, qofshin këto botërore, apo kombëtare.
Përkundër drejtues i teatrit, ju jeni një aktor i angazhuar si në teatër, ashtu edhe kinema, si po ju shkojnë projektet personale?
Ka nja dy vjet që jam larguar nga profesioni, me gjithë përpjekjet e mia që të mos shkëputem tërësisht. Shpresoj që në të ardhmen t’i kushtoj më shumë vëmendje.
Ndoshta angazhimi juaj si drejtues i ka hyrë në hise pjesës krijuese?
Është shumë e vërtetë. Të drejtosh një institucion nuk është e thjeshtë. Por në radhë të parë unë e dua zanatin tim, por për rrethana nga më të ndryshmet detyrohemi të jemi pjesë e një institucioni, të bëjmë zyrtarin, apo drejtuesin. Për të qenë tërësisht i sinqertë, kjo është puna që dua më së paku. Por për hir të mbarëvajtjes së punës esenciale të teatrit jemi të detyruar të marrim mbi supe detyra të tilla. Është ngarkesë shumë e madhe, por mendoj se do t’ia dalim, edhe pse kjo na kufizon përkundër angazhimeve tona si artistë në teatër, apo në kinematografi. Them se këtë herë do të gjej kohë, forcë dhe energji, për të qenë i angazhuar.
Bashkëpunim mes teatrove shqipfolës
Teatrot kombëtarë të Tiranës, Prishtinës e Shkupit, nënshkruan dje një memorandum bashkëpunimi, që konsiston në realizimin e politikave të përbashkëta teatrore dhe për hartimin e strategjive afatgjata në lidhje me teatrin. Është folur edhe më parë për marrëveshje dy dhe trepalëshe, por duket se këtë herë bashkëpunimi është vendosur mbi baza institucionale. Memorandumi përfshin fushat e bashkëpunimit me interes reciprok, si: qarkullimi i informacionit, bashkëprodhimet teatrore, vizitat e përfaqësuesve, apo shkëmbimin e produksioneve. Teatrot shqipfolëse do të mund të shkëmbejnë me njëri-tjetrin artistë, regjisorë, literaturë dramatike dhe të organizojnë turne në vendet përkatëse. Memorandumi u firmos nga Teatri Kombëtar i Tiranës nga drejtori Kristaq Skrami, nga ai i Prishtinës, Arian Krasniqi dhe i Shkupit, Adem Karaga.