Studentët refuzojnë të paguajnë tarifën e shkollimit
ZIRINA LLAMBRO
Studentët e Shkencave Sociale dhe Juridikut refuzojnë të paguajnë tarifën vjetore të shkollimit prej 30 000 lekësh. Ata kanë hartuar një peticion ku jepen të gjithë argumentet, pse nuk dëshirojnë ta bëjnë një gjë të tillë. “Kemi disa vite që paguajmë por mesa duket paratë tona nuk përdoren as për të ndërhyrë në infrastrukturë e as për të na krijuar kushte më të mira në ndjekjen e studimeve. Siç dihet, godina ku ne kemi bërë mësim rrezikon të shembet e kemi disa muaj, që sorollatemi nga një ambient në tjetrin. Prandaj është pa sens të paguajmë”, sqarojnë studentët. Ata kanë nisur mbledhjen e firmave që prej disa ditësh dhe peticionin do t’ia dërgojnë Kryeministrit të vendit. Në të kërkohet gjithashtu, marrja e masave për të gjetur ambiente të vërteta ku të zhvillojnë leksionet e seminaret. “Aktualisht mësimin e kryejmë në kushte krejt të papërshtatshme, duhet të gjejë zgjidhje qoftë qeveria qoftë Ministria e Arsimit, që ne të ulemi në auditorë të vërtetë e jo në salla kinoklubesh”, pohojnë përfaqësuesit e studentëve. Ata nënvizojnë se për aq kohë sa nuk u mundësohet kjo nuk do të paguajnë asnjë qindarkë nga xhepat e tyre. Në nëntor të vitit të kaluar studentët e Fakultetit të Drejtësisë dhe Shkencave Sociale bojkotuan mësimin. Kjo pasi godina ku ata zhvillonin mësimin rrezikonte shembjen. Pasi mbetën disa javë pa mësim dhe protestash të njëpasnjëshme ata janë sistemuar provizorisht në ambientet e kinoklubit të qytetit studenti. Ndonëse Ministria e Arsimit premtoi se do të ngrinte një grup ekspertësh për të vlerësuar kushtet teknike të godinës te juridiku, deri tani kjo gjë nuk ka ndodhur. Asnjë zgjidhje përfundimtare nuk u është dhënë studentëve, të cilët në rast se nuk paguajnë tarifën e shkollimit rrezikojnë edhe përjashtimin nga universiteti. Por këta të fundit janë të vendosur të mos e bëjnë një gjë të tillë. Nuk dihet se cili do të jetë reagimi i MASH dhe i kryeministrit pas peticionit që ata kanë hartuar, por studentët nga ana e tyre kërcënojnë me protesta në rast se do t’i detyrojnë të paguajnë shumën prej 30 mijë lekësh. “Arsimi është katandisur si mos më keq e ne nuk kemi asnjë arsye për ta paguar këtë tarifë, është turp për ata që e kërkojnë”, janë shprehur studentët.