E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masterat për infermierinë e shkencat e natyrës

 

Çelen masterat për Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe Infermierisë të Universitetit të Tiranës. Qeveria miratoi dje vendimin, ku janë caktuar kuotat dhe tarifat vjetore të studimit. Masterat e nivelit të parë do të kenë një kohëzgjatje 1-vjeçare. “Universiteti shpërndan kuotat e vëna në dispozicion të tij në masën jo më pak se 30 për qind, për studentët, që kanë përfunduar, të paktën ciklin e parë të studimeve në institucionet e tjera të arsimit të lartë dhe jo më shumë se 70 për qind, për ata që i kanë përfunduar këto studime pranë tij”, thuhet në vendim. Sipas tij, në rastet kur nuk ka kandidatë nga institucionet e tjera të arsimit të lartë, që plotësojnë kriteret, atëherë UT ka të drejtë ta plotësojë kuotën e vënë në dispozicion me studentët, që janë diplomuar pranë tij. “Kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve, përcaktuar nga njësitë kryesore të Universitetit të Tiranës, bëhen publike paraprakisht”, ka përcaktuar qeveria. Kështu në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, masterat do të ofrohen për “Teknologji informacioni” ku do të pranohen 30 studentë. Për Fakultetin e Infermierisë ato do të ofrohen për “Menaxhim infermieror”, “Mami” dhe “Teknik laboratori”. Përkatësisht për secilën prej tyre qeveria ka miratuar 100 kuota për “Menaxhim infermieror” dhe nga 50 kuota për dy programet e tjera të masterave. “Kuotat e pranimeve në programet e studimit master i nivelit të parë, që mbeten të parealizuara, rishpërndahen, sipas institucioneve publike të arsimit të lartë dhe programeve të ndryshme të studimit, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës”, thuhet në vendim. Sa i përket tarifave vjetore të shkollimit për “Teknologji informacioni” është caktuar 70 000 lekë, për masterin  “Menaxhim infermieror”   55 000 lekë, për “Mami” dhe për “Teknik laboratori” 60 000 lekë. Qeveria ka vendosur që disa kategori të paguajnë vetëm 50% të vlerës së masterit. Këtu bëjnë pjesë të verbrit, të shurdhët, invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë. Gjithashtu, gjysmën e tarifës do ta paguajnë edhe studentët me aftësi të kufizuar, fëmijët romë apo fëmijët e policëve të rënë a të plagosur për shkak të detyrës, të ish të përndjekurve politikë, që fitojnë të drejtën për të ndjekur një program studimi. Programet e studimeve, master i nivelit të parë, realizohen me 60 kredite dhe zgjatja normale e tyre është një vit.

Masterat e rinj

Fakulteti i Shkencave të Natyrës:

Në “Teknologji informacioni”, në përfundim të së cilit lëshohet diplomë “Master i nivelit të parë”, MNP, në teknologji informacioni.
Kuota 30
Tarifa e shkollimit 70 000 lekë

Fakulteti i Infermierisë:

Në “Menaxhim infermieror”, në përfundim të së cilit lëshohet diplomë “Master i nivelit të parë”, MNP, në menaxhim infermieror;
Kuota 100
Tarifa e shkollimit 55 000 lekë

Në “Mami”, në përfundim të së cilit lëshohet diplomë “Master i nivelit të parë”, MNP, për mami;
Kuota 50
Tarifa e shkollimit 60 000 lekë

Në “Teknik laboratori”, në përfundim të së cilit lëshohet diplomë “Master i nivelit të parë”, MNP, për teknik laboratori.
Kuota 50
Tarifa e shkollimit 60 000 lekë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›