E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dritand Zenelaj fiton “Onufri 2008”

 

Dy videoprojeksione bardhë e zi fitojnë “Onufri 2008”. Bëhet fjalë për “To Late” dhe “Pazëll” të artistit Dritand Zenelaj, të cilat merituan çmimin e parë të edicionit të XV-të të konkursit ndërkombëtar. Në njërën prej tyre luhet me hijen e një muri, ndërsa tek tjetra paraqitet një grup fëmijësh që do të ndërtojë një pazëll. Pas marrjes së çmimit Zenelaj u shpreh tepër i emocionuar dhe vlerësoi “Onufrin” si aktivitetin më të rëndësishëm të arteve pamore në Shqipëri. Çmimi i dytë iu dorëzua artistit Heldi Pema, gjithnjë i pranishëm në aktivitetet e këtij lloji në Tiranë. Pema u paraqit me dy foto stampime të titulluara “Pa titull” dhe “On the wall”. Edicioni XV-të i konkursit ndërkombëtar të arteve pamore “Onufri 2008”, mblodhi këtë vit 13 artistë, të përzgjedhur nga profesori italian i fenomenologjisë, Ricardo Caldura, mes rreth 40 syresh. Ata u bënë pjesë e ekspozitës me titull “A e dini vendin ku lulëzojnë paradokset?”, përmes punëve në pikturë, serive fotografik e më së shumti videoprojektorëve. Godina në ndërtim e sipër e karabina, që të hequra nga konteksti i tyre ngjajnë si me abstraksione, tela elektrikë që kapërthehen, kakofoni përditshmërie... Caldura e ndërtoi ekspozitën mbi konceptin e një vargu të Gëtes “A e dini ku limonat lulëzojnë?” Kuratori italian e huazoi shprehjen, duke iu referuar jo më Italisë si vendi i limonëve, por Shqipërisë si vendi i paradokseve. Ndryshe nga herët e tjera, “Onufri” i sivjetshëm u ndërtua vetëm nga artistë shqiptarë, por sipas kuratorit, kjo nuk do të thotë se aktiviteti nuk është ndërkombëtar, pasi shumë prej artistëve pjesëmarrës, ndërtojnë karrierën e tyre në Evropë e Amerikë. Një zgjedhje kjo, edhe sipas politikave të Galerisë Kombëtare të Arteve. Artistët që konkuruan për çmimin “Onufri 2008” janë Idlir Koka, Eltjon Valle, Elsa Martini, Dritan Hyska, Heldi Pema, Pleurat Xhafa, Dritand Zenelaj, Gentian Shkurti, Yllka Gjollesha, Shpëtim Kërçova, Fani Zguro. Alban Hajdinaj dhe Orion Shima, gjithashtu pjesëmarrës në “Onufri 2008”, hoqën dorë nga çmimi, për t’u lënë stafetën më të rinjve. Në këtë edicion merrte pjesë edhe Bert Theis, nga Luksemburgu, i cili nuk konkurronte. Veprat u vlerësuan nga një juri ndërkombëtare e përbërë nga Nissim Tal, drejtor i përgjithshëm i “Muzeut të Artit”, në Halifa, Izrael, Raya Zommer, drejtore dhe kuratore e “Muzeut Janco-Dada”, në Ein-Hod, Izrael, Elizabeth Neilson, kuratore dhe drejtoreshë e Zabludowicz Collection, Angli, Daniele Capra, kritik arti për revistën italiane “Exibart” dhe Parid Teferici, shkrimtar. Ceremonia e ndarjes së çmimit u zhvillua mbrëmë në ambientet e galerisë Kombëtare të Arteve, ndërkohë që ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në datën 2 shkurt.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›