Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, takim urgjent për Gazën
Luftimet në Gaza mes Izraelit dhe Hamasit janë intensifikuar në ditën e 19-të të konfliktit, me gjithë përpjekjet e pareshtura diplomatike për t'i dhënë fund krizës. 980 viktima janë shënuar mes palestinezëve në Rripin e Gazës. Sot Asambleja e Përgjithshme Kombeve të Bashkuara ka një mbledhje emergjence për të arritur armëpushimin në Rripin e Gazës, ashtu siç është parashikuar nga Rezoluta 1860 e Këshillit të Sigurimit. Ka pasur njoftime për shpërthime sporadike dhe përleshje të ashpra mes trupave izraelite dhe militantëve palestinezë. Mësymja e izraelitëve drejt qendrës së qytetit ka qenë më e ndjeshme gjatë ditës së djeshme, sipas mediave në rajon. Vetëm gjatë natës së të martës mbi Gaza janë kryer mbi 60 sulme ajrore nga Izraeli, ku njëri prej tyre shkatërroi shumicën e varreve në një varrezë lokale. Deklaratat e Izraelit janë gjithnjë me argumentin se trupat e tij kishin në shënjestër një grup që sulmonte me raketa dhe një vend ku ishte magazinuar armatim. Ndërkohë, nga vendet e rajonit duket se synohen sulme të tjera kundër Izraelit. Në zonën Galilea në Izrael është qëlluar me raketa nga Libani, ndërkohë që Izraeli u kundërpërgjigj me sulme artilerie, edhe pse nuk e kishte të qartë se kush qëndron pas këtyre sulmeve. Kjo është hera e dytë që ndodh një incident i tillë me Libanin, që kur ka nisur ofensiva izraelite në Gaza. Herën e parë zyrtarët libanezë kanë mohuar përfshirjen në katoi sulme, madje edhe dijeninë për organizimin e tyre. Nuk mjaftojnë fqinjët që janë pozicionuar të gjithë kundër ofensivës së Izraelit, duke e lënë atë të vetëm në rajon, por kësaj krize i është shtuar edhe një lloj përçarjeje në kabinetin qeveritar. Ministri izraelit i Mbrojtjes favorizon një ulje të intensitetit të fushatës, ndryshe nga Kryeministri Ehud Olmert, i cili është për vazhdimin e sulmeve me intensitet më të lartë. Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve Ban Ki Mun, është angazhuar të dyfishojë përpjekjet për të siguruar një armëpushim afatgjatë dhe të qëndrueshëm në Gaza.