Barroso: Të penalizojmë Rusinë dhe Ukrainën për gazin
Vendet e Bashkimit Evropian janë ende pa furnizim, ose me një sasi fare të vogël të gazit rus, për shkak të mosmarrëveshjeve ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, që shërben si vend transiti. Pas një marrëveshje të nënshkruar nga Rusia, Ukraina dhe Bashkimi Evropian, Moska rifilloi furnizimin me gaz të Evropës të martën, por e ndaloi sërish procesin disa orë më pas. Kryeministri rus Vladimir Putin, gjatë takimit me kryeministrat e Sllovakisë, Bullgarisë dhe Moldavisë, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian të bëjë më shumë presion ndaj Ukrainës për të rifilluar transitin e gazit drejt Evropës. Ndërsa Presidenti i Ukrainës, Viktor Jushçenko akuzoi Rusinë se tenton të provokojë revolta. Sllovakia, Bullgaria dhe Moldavia janë tre vendet evropiane më të prekura nga kriza e furnizimit me gazin rus. Por strukturat evropiane tashmë janë të tejngopura me akuzat dhe kundërakuzat e vazhdueshme mes Moskës dhe Kievit për konfliktin e gazit dhe po mendojnë që t’i penalizojnë të dyja kompanitë e vendeve përkatëse. Presidenti i Komisionit Evropian, Hose Manuel Barroso i ka tërhequr vërejtjen Rusisë dhe Ukrainës se po humbasin besueshmërinë si partnerë në biznes. Barroso ka kërcënuar marrjen e hapave ligjore nëse nuk rifillon furnizimi me gazin rus. “Nëse marrëveshja nuk respektohet kjo do të thotë se Rusia dhe Ukraina nuk mund të konsiderohen më si partnerë të besueshëm të Bashkimit Evropian në çështjet e furnizimit me energji”, tha Barroso.