Ademi: Kongresi i Manastirit i kontribuoi unitetit tonë kombëtarë

Në fjalimin e tij zv. Kryeministri Ademi tha se ky simpozium paraqet edhe një kontribut në drejtim të valorizimit të asaj që rilindësit dhe patriotët e mëdhenj të kombit e bënë një shekull më parë duke organizuar mbajtjen e Kongresit të Manastirit.
“Simpoziumi i sotëm paraqet edhe një kontribut në drejtim të valorizimit të asaj që rilindësit dhe patriotët e mëdhenj të kombit e bënë një shekull më parë duke organizuar mbajtjen e Kongresit të Manastirit. Kongresi dhe vendimet që dolën nga ai e vunë vulën më të madhe për ndërtimin e unitetit tonë kombëtar. Rilindësit dhe të gjithë pjesëmarrësit në Kongres ishin të vetëdijshëm se gjuha është ajo që e ruan indin themelor të kombit”, tha Ademi.
Zëvendës kryeministri i RM-së më tej tha se Gjuha është ajo me të cilën identifikohet një komb, pavarësisht në rrethanat në të cilat jeton.
”Përderisa ekziston gjuha do të ekzistojë edhe kombi, këto bindje kam përshtypjen se ishin dominante në ndjenjat dhe përcaktimet e të gjithë përfaqësuesve të shoqatave shqiptare anë e kënd botës. Parimi një komb, një gjuhë, një alfabet ishte udhërrëfyesi kryesor dhe i vetëm i pjesëmarrësve në Kongresin e Manastirit. Të udhëhequr nga këto përcaktime, në Kongres bashkërisht u gjendën përfaqësuesit e dialekteve të ndryshme gjuhësore dhe të përkatësive të ndryshme konfesionale. Përfundimet e Kongresit, ju lëvrues të nderuar të historisë dhe gjuhës shqipe i keni analizuar dhe lëvruar nga çdo kënd i nevojshëm”, u shpreh ai.
Zëvendëskryetari i Qeverisë së RM-së i informoi të pranishmit edhe me aktivitetet që ndërmerren në Maqedoni me rastin e shënimit të këtij Jubileu.
”Ne jemi përpjekur që shënimi i jubileut një shekull alfabet shqip të organizohet me manifestime të shumta përkatëse që mendojmë se në mënyrë të denjë do të prezantojnë atë që tani është e nevojshme të thuhet e bëhet. Qeveria e Republikës së Maqedonisë për këtë aktivitet ka vënë në dispozicion çdo gjë që nga Këshilli Organizativ është kërkuar. Ne, të nderuar akademikë dhe pjesëmarrës në këtë tribunë shkencore, po i bëjmë përgatitjet e fundit për të shënuar këtë datë të madhe historike të kombit tonë”, përfundoi fjalimin e tij, Abdilaqim Ademi, zëvendës kryeministër i RM-së në Konferencën shkencore “Kongresi i Manastirit dhe njësimi i Alfabetit të Gjuhës Shqipe.
Kjo konferencë është organizuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës në bashkëpunim me Qendrën e Studimeve Albanologjike në Tiranë dhe institucioneve tjera shkencore.
INA/NOA