Adhuroj zhurmat!
Edmond Tupja
Pa diskutim, si shqiptar ballkano-mesdhetar që jam, i adhuroj zhurmat. Por jo ato dosido. Jo, i adhuroj kur janë gjëmimtare, të rrufeshme luftarake, të dhunshme, shurdhuese, agresive, nervacingëritëse, të llahtarshme, çmendurake, mundësisht pas orës dhjetë të darkës ose ndaj të gdhiri. Veçanërisht, me raste festash. Kombëtare ose ndërkombëtare. Për shembull, me rastin e Vitit të Ri, të Krishtlindjeve apo të Bajrameve. Me shashka, fishekzjarre, kambana e daulle. Me bori makinash, sirena trenash apo anijesh. Me radio a televizorë të hapur buçimthi, gumëzhimthi ulërimthi e uturimthi deri në kupë të qiellit apo deri në qendër të rruzullit tokësor.Pa diskutim, si shqiptar ballkano-mesdhetar që jam, adhuroj jo vetëm zhurmat që bëjnë të tjerët, por edhe ato që bëj vetë. Më pëlqen, shijon, ngazëllon e orgazmon të flas me zë të lartë, të thërras, të bërtas, të klith, të çirrem, të vikas, të sokëllij, të ulërij sidomos kur dal nga ndonjë zijafet, aheng, festë, dasmë, gosti apo disko në orët e para të mëngjesit, pikërisht kur të tjerët flenë, kur i ka zënë gjumi pas një dite rraskapitëse, pas ndonjë ngjarjeje tronditëse apo gjëme të papritur, por edhe kur janë ende zgjuar tek ruajnë ndonjë të vdekur ose ndonjë të sëmurë rëndë.
Ja, për shembull, meqë sapo festuam ardhjen e Vitit të Ri, u ndjeva tejet i lumtur kur filloi simfonia apokaliptike e fishekzjarreve. Disa më kujtonin krismat e pushkëve, të tjerë gjëmimin e granatave, të tjerë akoma qitjet me mortajë, me topa të kalibrave të ndryshëm. Të gjitha këto më sollën në mendje veçanërisht trazirat lumturuese të vitit të mrekullueshëm 1997, kur dehesha duke qëlluar tërë natën e natës me kallash nga taraca e pallatit tim, kala e pamposhtur në rrethinat e Tiranës.
Në këtë kuadër zhurmëdashës, më duhet të pranoj që jam në gjendje të rri me orë të tëra para çdo lloj ekrani duke parë me ëndje të papërshkrueshme filma me luftë historikë ose imagjinarë: beteja, përleshje, dyluftime me shpata, me armë zjarri, me rreze lazer, në planetin tonë ose në hapësirën ndëryjore. Nga ana tjetër, më duhet të pranoj që shkoj shumë shpesh, brenda ose jashtë shtetit, të shoh ndeshje futbolli, basketbolli, boksi, karateje, keçi etj., etj. vetëm e vetëm për të pasur mundësinë të ulërij, pak rëndësi ka kush fiton. Pa diskutim, si shqiptar ballkano-mesdhetar që jam, i adhuroj zhurmat. Madje, i ndriçuar nga ky adhurim pa kushte, pikërisht natën e kalimit nga 2008 në 2009, tek shijoja krismat shurdhuese deri në ekstazë të fishekzjarreve, arrita në një përfundim befasues për historianët e të gjitha vendeve: indianët e Amerikës nuk janë autoktonë, as të ardhur nga skaji lindor i Azisë veriore, jo! Ata janë me prejardhje iliro-shqiptare! Në mos qofshim ne me prejardhje amerindiane. Përse kështu? – mund të më pyesë ndonjëri nga ju. Përgjigjja ime është e thjeshtë: Po t’ju kujtohen filmat me kaubojë, do të ftilloheni: A nuk klithin e qëllojnë njëherësh në ajër me pushkë Apashët, Komanshët, Siutë etj., etj.? A nuk i adhurojnë ata krismat e armëve? Tamam si ne, shqiptarët ballkano-mesdhetarë sot e kësaj dite!
Në shekullin XVII, filozofi frëng Descartes thoshte: “Cogito ergo sum” (Mendoj, pra, jam), kurse unë po e ndryshoj paksa këtë sentencë të thellë: “Bëj zhurmë, pra, jam”, kjo ka qenë, është e do të mbetet, sa të jem gjallë, motoja ime. Por amaneti im i fundit është që, kur të vdes, të afërmit të mos më qajnë, por të më ruajnë e të më varrosin nën gjëmimin e të gjitha zhurmave të mundshme e të përfytyrueshme, disa nga të cilat sapo i përmenda më lart. Sigurisht, jam i vetëdijshëm që më pret ferri, skëterra ose xhenemi (kështu më mallkojnë fqinjët e mi që nuk kanë fare vesh muzikor dhe, për këtë arsye të paarsyeshme, nuk kuptojnë hiçgjë nga adhurimi im për simfonitë apokaliptike), por atje do të jem i lumtur, sepse do të integrohem menjëherë në zallamahinë zulmëmadhe të djajve apo të shejtanëve të përshkruar e të klasifikuar nga të gjitha fetë, teologët e librat e tyre! Për mua do të ishte dënimi më i tmerrshëm po të më çonin – sigurisht të lidhur me zinxhirë, ndonëse të vdekur, brenda një rakete të blinduar – në parajsë apo xhenet, atje ku engjëjt apo meleqët, profetët, shenjtorët e të lumturuarit, si edhe shpirtrat e tjerë anonimë, kridhen në një heshtje të padurueshme e vrastare për mua, shqiptarin ballkano-mesdhetar të shekullit XXI!