Topalli takon Napoletanon,e fton t’i drejtohet Kuvendit
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli takon kreun e shtetit italian, Xhorho Napoletano. Gjatë qëndrimit në Parma, ku mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Kolegjit Evropian, Kryeparlamentarja bisedoi për reformat edhe me Presidentin e vendit fqinj. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të Kuvendit, “Kryetarja i shprehu Presidentit Napolitano mirënjohje për mbështetjen që Shqipëria ka pasur në proceset demokratike dhe integruese, nga Italia fqinje në mënyrë të vazhdueshme. Biseda u përqendrua në zhvillimet ekonomike në Shqipëri, në klimën entuziaste të biznesit, çka ka bërë të mundur stimulimin e fortë të biznesit të huaj, për të investuar në Shqipëri dhe në mënyrë të veçantë ata u ndalën në interesin që Shqipëria ka ngjallur në vendet Evropiane për dinamizmin e ekonomisë së saj”. Gjithashtu Topalli e ftoi Presidentin Napolitano për t’ju adresuar Kuvendit të Shqipërisë, ftesë e cila u mirëprit. Gjithashtu Topalli zhvilloi një bisedë edhe me Presidentin Jacques Delors. Jacques Delors, i njohur tashmë si politikan i madh vizionar, mbetet një ndër presidentët më të suksesshëm në dekada gjatë periudhës së tij presidenciale në Komisionin Evropian. Në takim u diskutua për procesin e zgjerimit të Evropës, i cili sipas Presidentit Delors, në vitet e ardhshme do të numërojë 30 vende nga 27 që ka sot. Kryetarja e Kuvendit foli mbi reformat e fundit në Shqipëri, si dhe për tempin unik të procesit të ratifikimeve, si të protokollit të NATO-s, ashtu edhe të Marrëveshjes së stabilizim-asocimit të Shqipërisë me BE. Lidhur me zgjerimin në vendet e Ballkanit, ai u shpreh se “Evropa i ka dyert e hapura për vendet e Ballkanit për t’i mbështetur ato në gjetjen e zgjidhjeve paqësore dhe të frytshme. Unë jam pro zgjerimit. Pas zhvillimeve të fundit në këtë rajon, Evropa ka marrë përgjegjësi të veçanta për vendet e këtij rajoni”. Topalli mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Kolegjit Evropian, i cili u zhvillua në Teatrin Mbretëror të Parmës. Në fjalën e tij, Presidenti i Kolegjit Evropian zoti Azal, ndër të tjera shprehu kënaqësinë që studentë nga 20 vende të botës marrin sot diplomën në prani të personaliteteve të shquara. Ndër 45 studentët e diplomuar për këtë vit, 4 ishin studentë shqiptarë, duke shënuar kështu numrin më të lartë të studentëve nga një vend.