E Shtunë, 31 Tetor 2026

Poni inspekton gjendjet civile

 

Zv.ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni ka inspektuar dje zyrat e ngritura pranë zyrave të gjendjes civile për pajisjen e qytetarëve me kartat e identitetit. I kontaktuar nga gazeta, Poni u shpreh se pas inspektimit u vu re që të gjitha zyrat e ngritura, të cilat janë rreth 70 për qytetin e Tiranës, janë gati të presin aplikantët e parë, duke nisur që nga dita e hënë. Sipas procedurës, fillimisht qytetarët do të duhet të paguajnë shumën prej 1200 lekë në postë dhe pasi të pajisen me mandat arkëtimin duhet të paraqiten në zyrat e ngritura, për të plotësuar formularin dhe për të lënë shenjat e gishtave. Ndërkohë PS-ja reagoi dje duke e quajtur procesin si aspak transparent. “Ne si kushdo tjetër, jemi të shqetësuar se procesi po zhvillohet në mungesë të plotë të transparencës. Vendimi i datës 7 janar është ende nëpër tavolinat e zyrtarëve, por jo në dijeni të qytetarëve. Sot kur ngelen vetëm dy ditë nga dita e fillimit të procesit, nuk ka as edhe një shqiptar të vetëm, përfshi dhe qeveritarët konfuz, që të jenë të qartë ku do të aplikojnë, sipas kujt kalendari duhet të aplikojnë dhe kur do të pajisen me letërnjoftimin”, tha sekretari organizativ i PS-së, Blendi Klosi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›