E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: ‘Rudnap’ i Fazlliç mori 67 mln euro në 2008 nga qeveria

 

Partia Socialiste i rikthehet sërish çështjes së Damir Fazlliç, duke akuzuar qeverinë se i ka dhënë kompanisë “Rudnap”, ku ai ka pjesë, 67 milionë euro për blerjen e energjisë, për vitin 2008. Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erjon Braçe tha dje në një konferencë për shtyp se “përgjatë vitit që shkoi, ne provuam se kompania tregtare “Rudnap”, nën pronësi edhe të Damir Fazlliç, për vitin 2007 ka marrë nga paratë publike të energjisë 38.5 milionë euro. Por tani, kemi të dhëna të reja të bilancit të vitit 2008. Kompania tregtare Rudnap ka marrë nga paratë e energjisë, për periudhën janar- shtator, 67.647.000 euro”. Sipas tij kompania “Rudnap”, e cila ka sjellë energji elektrike në Shqipëri, është përfituesja më e madhe në këtë drejtim. Braçe theksoi se kjo kompani ka përfituar 46.45% të parave për blerjen e energjisë elektrike. Nënkryetari i deputetëve socialistë tha se kompania e Damir Fazlliç, deri në shtator të vitit të kaluar ka marrë 148 milionë euro, ndërkohë që kompania e dytë pas saj ka marrë vetëm 14% të buxhetit për energjinë dhe kompania e tretë 12%. “Një vit më parë, në 2007, vit kur Sali Berisha e futi “Rudnap” në treg, mori vetëm 16 %, pra vetëm 3 herë më pak se këtë vit, ndërsa në 2006, nuk ekzistonte fare në list-pagesat e KESH-it. Në më pak se dy vjet, “Rudnap” ka marrë nga paratë tona publike, 106.189.000 euro”, theksoi më tej Braçe. Sipas tij “Nëse për 2008 “Rudnap”, është përfituesja e parë e parave, në çmimin e ofruar rezulton e 5 ndër 8 kompanitë. Pra, e shtrenjtë 2.13 euro/mgëh në 8.79 euro/mgëh se kompanitë e renditura poshtë saj si përfituese. Po të huazonim aritmetikën e Sali Berishës, kjo diferencë përkthehet në një përfitim minimumi prej 7.7 milionë euro vetëm nga çmimi, jashtë normave të tjera tregtare”. Por pas deklaratave të nënkryetarit të grupit socialist, ka reaguar Korporata Elektroenergjetike Shqiptare. Në një komunikatë për shtyp, KESH sqaron se deklaratat e Braçes janë vetëm për përdorim politik dhe se blerja e energjisë elektrike është tashmë e audituar nga organet përkatëse. “Deklarata e Braçes është gënjeshtër për përdorim politik. Çdo blerje e energjisë është brenda ligjit e dokumentar dhe e audituar. Blerjet e energjisë kanë qenë gjithnjë transparante dhe të publikuara para dhe pas çdo procesi. Braçe flet me hamendësi”, thuhet në komunikatën për shtyp të KESH-it. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›