E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputetët e PD bojkotojnë Topin

 

Presidenti Bamir Topi bojkotohet nga deputetët e PD-së në vizitën dyditore në Kosovë. Kreu i shtetit, i cili ishte i pari zyrtar i lartë i Shqipërisë që vizitonte vendin fqinj pas shpalljes së pavarësisë, ka qenë i shoqëruar nga një numër i madh politikanësh dhe biznesmenësh, por i është dashur të ndryshojë delegacionin pak para nisjes. Kështu, sipas “Top Channel”, në listën e delegacionit që do ta shoqëronte, ishin ftuar edhe Kryetari i Komisionit të Jashtëm, Preç Zogaj, kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Edmond Spaho dhe Kryetari i Komisionit të sigurisë kombëtare, Leonard Demi. Por para nisjes së delegacionit në datën 8 janar në drejtim të Prishtinës, tre deputetët e PD-së kanë konfirmuar se nuk do të udhëtojnë me Presidentin. Në këtë mënyrë protokolli i kreut të shtetit ka ftuar për t’u bashkuar me delegacionin deputetët Sali Shehu, Bujar Leskaj dhe Besnik Mustafaj, të cilët kanë qenë mjaft aktivë gjatë zgjedhjes së Topit në postin që mban aktualisht. Të kontaktuar nga mediat, tre kryetarët e komisioneve konfirmuan pamundësinë e tyre për të mos udhëtuar me Presidentin drejt Kosovës. Kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare Leonard Demi, tha se kishte qenë i zënë me punë në Delvinë dhe Sarandë. Edmond Spaho tha se u pengua për të marrë pjesë nga një problem familjar, ndërsa Zogaj i telefonoi Presidentit për t’i shpjeguar se do të ishte në zonën e tij elektorale, për shkak të një pakënaqësie për problemin e furnizimit me energji elektrike. Ndërkohë që, sipas parashikimit, së bashku me Presidentin ishin edhe dy nënkryetarët e Kuvendit, Neritan Ceka dhe Ylli Bufi. Gjithashtu Topi u shoqërua edhe nga nënkryetarët socialistë të komisioneve parlamentare. Në të njëjtën kohë, pjesë e delegacionit ishin edhe Arben Malaj, Arta Dade, Besnik Dervishi, Spartak Braho, si dhe Sabri Godo, President Nderi i PR-së, si dhe Adem Allçi, Kryetar i Shoqatës Mbarëkombëtare për Integrimin e të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë. Në të njëjtën kohë në listën e pjesëmarrësve bie në sy se Presidenti nuk ishte i shoqëruar nga asnjë prej ministrave të kabinetit qeveritar, çka është e detyrueshme sipas protokollit të shtetit. Ky bojkot i deputetëve demokratë vjen në një moment kur marrëdhëniet mes maxhorancës dhe presidentit janë të ftohta. Megjithatë duket se e gjithë shumica i ka sytë pikërisht nga Topi, i cili është duke shqyrtuar dhe nuk përjashtohet mundësia të kthejë në parlament ligjin për hapjen e dosjeve. Pak javë më parë, Kryeministri Berisha kritikoi Presidentin Topi për dekorimin e një ish- prokurori të diktaturës, ndërkohë që e ka akuzuar atë se në prill të vitit të kaluar tentoi të krijonte një minorancë bllokuese brenda maxhorancës.

Topi të firmosë ‘dosjet’

Shoqata e shqiptarëve të Amerikës “Vatra” i ka dërguar dje një letër kreut të shtetit, ku i kërkon të dekretojë ligjin e dosjeve të miratuar në fund të vitit të kaluar në Parlament. Në letër thuhet se “Ndarja e qartë dhe e prerë me të shkuarën diktatoriale komuniste është kusht i parë për zhvillimin e një shoqërie demokratike. Shqipëria në këtë rrugë është e vonuar dhe nuk mund të pritet më gjatë. Zoti President, me besim të plotë në gjykimin tuaj në plotësimin e kompetencave kushtetuese, vatranët kërkojnë nga ju dekretimin e këtij ligji dhe nga klasa politike shqiptare në tërësi implementimin e tij sa më të shpejtë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›