E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvaret se nuk i pranuan dashurinë

 

Dashuria për një vajzë dhe pengesa që haste për këtë lidhje nga prindërit e ka çuar një të ri drejt vetëvarjes.Ka qenë ora 10:30 e së shtunës, kur Orgert Ramadani 22 vjeç u gjet i varur me një litar në degën e bajames, në afërsi të një përroi në fshatin Piskovë të Përmetit. Vendimi fatal i të riut u mor fill pas një serie debatesh të ashpra mes tij dhe prindërve për lidhjen sentimentale që ai kishte me një moshatare nga një fshat i Tepelenës. Sipas të dhënave që mblodhi policia, Orgerti kishte marrëdhënie prej disa kohësh me të dashurën e tij. Në familje ai ia kishte përcjellë disa herë të atit, Pëllumbit, qëllimet për një lidhje serioze mes tyre, çka nuk është mirëpritur. Në orët e vona të mbrëmjes së të premtes është zhvilluar një debat mjaft i ashpër, mes të riut dhe prindërve të tij, pikërisht rreth kërkesës që ai riparashtroi në familje, martesën me vajzën nga Tepelena, emri i të cilës nuk është mësuar nga autoritetet policore për shkaqe sigurie. Mirëpo, mohimi i pambarimtë i prindërve për të refuzuar ardhjen e nuses në shtëpi, për shkak të moshës së re të djalit, ka zgjatur edhe në orët e mëngjesit të djeshëm. Me shpresën e qetësimit të situatës së krijuar nga dje, i riu e riçeli edhe një herë debatin, por kësaj radhe ka qenë më i prerë dhe i vendosur për të ndërmarrë një veprim, qoftë edhe sublim. Madje ai ka arritur në një moment t’u drejtohej prindërve se o do të merrte atë vajzë për grua, ose do të varte veten. Kjo fjali është përsëritur nga viktima tri herë brenda 60 minutave në debat e sipër dhe hera e fundit që e tha, u shoqërua me largim demonstrativ nga ambientet e shtëpisë. Në këtë moment Pëllumbi, i ati i 22-vjeçarit, e ka ndjekur të birin pas nga frika se deklaratën e ripërsëritur, do ta kthente në realitet. Dhe kështu ndodhi. Pas orës 10:00 të së shtunës, Orgerti është gjetur i varur në një degë bajameje, në afërsi të përroit të Koritës pranë vreshtave të fshatit. Një litar i bardhë që përdoret për stivosjen e jonxhës, ka shërbyer për të mbajtur peshën e të riut në degën e pemës ku dha shpirt. Kufoma është gjetur nga djali i xhaxhait të tij, i cili e kërkonte së bashku me të atin e viktimës. Ky i fundit pati deklaruar se djali i tij në momentin e ikjes nga shtëpia është fshehur për t’iu shmangur në këtë mënyrë gjetjes. Ulërima dhe grushte në kokë kanë qenë veprimet e të atit të viktimës, në momentin kur pa fëmijën me sytë e tij të varur në pemë. Ai ka rënë për tokë nga shoku dhe është ndihmuar nga i nipi i tij për t’u përmendur. Më pas viktimën e kanë çliruar nga laku i vendosur në grykë, duke e përcjellë drejt shtëpisë. Kontakti i tij i fundit me të dashurën, ka qenë përmes një mesazhi në celular. “Unë po var veten, pasi nuk dua të qëndroj larg teje për tërë jetën”, ka qenë sms-ja e dërguar nga Orgerti drejt numrit të celularit të të dashurës. Policia nga ana e vet sapo është njoftuar ka shkuar menjëherë në vendngjarje së bashku me grupin hetimor, për të vlerësuar situatën e ndodhur. Për të shmangur një tragjedi të dyfishtë, organet policore përmes celularit të viktimës, kanë gjetur vendndodhjen e vajzës që dashurohej nga Orgerti. Uniformat blu, kanë kontaktuar me prindërit e vajzës ku i kanë informuar për ngjarjen, duke u sugjeruar të mos e njihnin vajzën e tyre për ngjarjen e ndodhur me qëllim shmangien e një tragjedie tjetër. Ky është rasti i parë që ndodh në jug të vendit, që një i ri vret veten nën depresion për një dashuri. Mësohet se gjendja mendore të prindërve të viktimës, është rënduar së tepërmi, pasi kanë mësuar lajmin e hidhur. Ndërkohë policia nga ana e saj ka përcjellë në organin e akuzës materialet për këtë ngjarje, për veprime të mëtejshme.

Vetëflijimet këtë vit

SHKODER
- Më 4 janar, në një fshat të komunës Rrethina në Shkodër ndërroi jetë e vetëhelmuar një 16-vjeçare. Motivet mbetën mister

DURRES
- Më 6 janar, Xhevahir Vata, 32 vjeç me origjinë nga Tropoja e banues në Shkozet të Durrësit, i dha fund jetës duke u vetëvarur si pasojë e kushteve të vështira ekonomike
- Më 7 janar, një 40-vjeçar u vetëhelmua po në Shkozet të Durrësit. Dyshohet se ngjarja ndodhi po për shkak të vështirësive financiare

ELBASAN
- Më 8 janar, Një 57-vjeçar nga fshati Jatesh i Elbasanit u gjet i pajetë, i vetëhelmuar për motive ende të paqarta për policinë

Korçë, vetëvritet i sëmuri me paralizë

KORÇE - Lodhja nga jeta dhe veçanërisht nga sëmundja e kanë shtyrë 62-vjeçarin, Andrea Kabashi, banor i fshatit Vloçisht në rrethin e Korçës, të varë veten. Ai jetonte me bashkëshorten, ndërsa fëmijët ishin emigrantë jashtë shtetit. Andrea kishte 8 vjet që pas një sëmundjeje nervore kaloi në paralizë. Me shumë vështirësi, ai mundi të shkëputej nga krevati, megjithatë asnjëherë nuk ka qenë në gjendje që të kryente ndonjë punë në familje apo edhe disa shërbime ndaj vetes së tij. Për shkak të kushteve të vështira ekonomike që përjetonte familja, fëmijët e tij emigruan në Greqi. Në këto kushte Andrea vazhdimisht rrinte brenda ndërsa bashkëshortja i shërbente për të përballuar vështirësitë që i krijoi paraliza e pjesshme. Lëvizjet e tij nëpër shtëpi dhe në oborr i kryente me shumë vështirësi. Dje pasdreke, Andrea ka përfituar që në shtëpi nuk ishte bashkëshortja dhe me shumë vështirësi ka lënë krevatin e është zvarritur në kasollen para banesës. Me fuqitë e pakta që i kishin mbetur, ai ka mundur të krijojë një hallkë te një litar që hodhi në trarët e kasolles, e me të ka mundur të realizojë varjen. E shoqja e ka gjetur pa jetë rreth 1 orë më vonë. Ajo me ndihmën e fqinjëve e ka zhvarur dhe së bashku janë përpjekur që ta shpëtojnë nga vdekja, por gjithçka ka qenë e kotë.  j.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›