PR: Pronat shtetërore po grabiten
ADI SHKEMBI
Partia Republikane kërkon nga qeveria zgjidhjen e çështjes së kthimit të pronave te pronarët e tyre. Në mbledhjen e parë të asamblesë së kësaj partie për këtë vit, kryetari i saj, Fatmir Mediu u shpreh se Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave duhet të marrë autoritetin mbi të gjitha pronat shtetërore, të cilat sipas tij po grabiten. “Duhet patjetër kthimi pa vonesë i pronave te pronari i ligjshëm. Kjo kërkesë do që agjencia kombëtare e kthimit dhe kompensimit të pronave të marrë autoritet të drejtpërdrejt mbi të gjitha pronat që janë në Shqipëri dhe ato që janë të institucioneve shtetërore, të cilat grabiten ose lihen në mëshirë të fatit”, u shpreh kreu i republikanëve. Në fjalën e tij në ditën e krijimit të kësaj partie, Mediu u ndal gjatë edhe te zbardhja e tragjedisë së Gërdecit. Sipas tij, organet e drejtësisë nuk duhet të bëhen vegla në dorë të individëve të caktuar, por të merren pikërisht me gjetjen e përgjegjësve të saj. “Unë dhe të gjithë së bashku bëmë çdo gjë që kishim në dorë për të zbardhur të vërtetën apo për t’i hapur rrugë drejtësisë. Eshtë radha që drejtësia të veprojë si e tillë dhe jo si mekanizëm politik interesash dhe konjukturash që nuk i intereson e vërteta por bëhet vegël në dorë të individëve apo qëllimeve politike. Unë kam bindjen tek e vërteta dhe i kam dhënë edhe mundësi çdokujt të bëjë punën e vet, i bindur që ata do të arrijnë te kjo e vërtetë”, u shpreh më tej kreu i PR-së. Duke u ndalur në çështjen e zgjedhjeve të përgjithshme, të cilat do të zhvillohen në qershor, Mediu i kërkoi Partisë Demokratike të hartojnë sa më parë një strategji. Mediu hodhi poshtë sloganet e Partisë Socialiste për bashkimin e qytetarëve përtej të majtës dhe të djathtës, duke theksuar se gjatë këtyre viteve opozitës i kanë munguar alternativat në zgjidhjen e problemeve.
Godo: PR ka meritën e saj në qeverisje
Kryetari i Asamblesë së Partisë Republikane, Sabri Godo tha në mbledhjen e djeshme se kjo forcë politike ka dhënë kontributin e saj në zhvillimin e vendit. “Ne kemi qenë padyshim pjesë e pandarë dhe kemi meritat tona në rrugën e zhvillimit dhe forcimit të demokracisë në Shqipëri”, u shpreh Godo. Pasi analizoi punën organizative të degëve të PR-së në qarqe dhe rrethe, Godo theksoi se Partia Republikane do të japë kontributin e saj për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, si një nga kushtet për integrimin në BE. Sipas tij, me ndryshimin e Kodit Zgjedhor duhet që partitë e djathta të bashkohen për të fituar zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. “Ne si forcë politike kemi pasur dhe i kemi dhënë shumë këtij vendi në njerëz dhe në vlera, por është momenti që me formulat e reja që ky Kod Zgjedhor na dha, të mblidhemi të gjithë të djathtët për të pasur sukses në zgjedhjet parlamentare që janë në prag”, vijoi më tej kreu i asamblesë republikane.
PD, krerët e njësive zgjidhen deri më 23 janar
Dega e Partisë Demokratike në Tiranë po përfundon procesin e zgjedhjeve nëpër seksione, duke i hapur në këtë mënyrë rrugë zgjedhjes së grupseksione, që përkojnë me ndarjen me ndarjen e njësive bashkiake, të cilat janë 11. Burime në PD bëjnë të ditur për gazetën se për degën më të madhe të kësaj partie janë drejt fundit zgjedhjet në seksione. Sipas tyre, një numër shumë i vogël seksionesh kanë ngelur ende pa zgjedhur krerët e tyre të rinj dhe për këtë u është vënë afat që i gjithë ky proces të mbyllet deri më 15 janar. Më pas zgjedhjet do të zhvillohen në 11 grupseksionet, të cilat pritet të zgjedhin krerët e tyre të rinj dhe ku parashikohet të ketë një numër të madh ndryshimesh për shkak të rezultatit të dobët të arritur në zgjedhjet e fundit lokale. Për zgjedhjet në grupseksione, degës së PD-së së Tiranës i është lënë në afat prej shtatë ditësh, i cili është parë i arsyeshëm nga ana e demokratëve si afat i mjaftueshëm për të mbyllur këtë proces në të 11 njësitë. Me përfundimin e zgjedhjeve në grupseksione, vëmendja do të përqendrohet pikërisht në zgjedhjet në degën e PD-së. Në të njëjtën kohë me zgjedhjet në seksione janë duke u zgjedhur edhe delegatët për kuvendin e degës së PD-së. Deri tani janë të paktën katër kandidatët e mundshëm që do t’i paraqiten kryesisë së madhe para se të nisin degët në PD. Besnik Mustafaj, Gjergj Bojaxhi, Edi Paloka dhe Lajla Përnaska janë ndër emrat e propozuar nga baza për pasardhës të Sokol Olldashit në këtë degë.