Administrata, 10 mijë lekë shpërblim
Punonjësit e administratës shtetërore do të marrin 10 mijë lekë deri në një pagë shpërblim me rastin e festave të fundvitit. Kështu është shprehur dje Kryeministri Berisha gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave. Sipas tij, nga paga e 13-të do të përfitojnë punonjësit paga e të cilëve është e ulët. “Qeveria këtë vit ka qenë sërish e vëmendshme ndaj administratës, e cila do të shpërblehet jo më pak se 10 mijë lekë dhe jo më shumë se dyfishin i pagës dhe kjo me përparësi absolute për pagat e ulëta. Nëse nga miradministrimi kanë tepruar në fondin e pagave, edhe përmbi pagat e ulëta limiti për administratën do të jetë jo më pak se 10 mijë lekë dhe jo më shumë se një pagë dhe me këtë kemi dalë nga rregulli i një viti më parë, kur shpërblimi ka qenë vetëm 10 mijë lekë. Shpresoj që me miradministrimin e fondit të pagave që është bërë, të shpërblejmë me një pagë të veçantë, në radhë të parë, ata që janë më në nevojë, me paga të ulëta dhe ata që kanë më shumë fëmijë”, ka thënë Berisha. Por sipas një udhëzimi të miratuar vjet nga qeveria pagën e 13-të do të mund ta përfitojnë të plotë punonjësit e dalluar. Sipas këtij udhëzimi, vlerësimi i punës së të gjithë punonjësve bëhet i ndarë në katër nivele “shumë mirë”, “mirë”, “kënaqshëm” dhe “jo mjaftueshëm”. Punonjësit që janë në tre nivelet e para kanë marrë vlerësime pozitive dhe që lidhen me procedurën e konfirmimit në fund të periudhës së provës, me lëvizjet paralele apo edhe me ngritjen në detyrë. Në të njëjtën kohë, punonjësit që kanë marrë vlerësimin “shumë mirë” do të përfitojnë një pagë shpërblim dhe që është praktikisht paga e 13-të e vitit. Ndërkohë, punonjësit me vlerësimin “mirë” do të marrin shpërblim 70% të pagës dhe ata që kanë vlerësimin “kënaqshëm” do të marrin shpërblim në muajin dhjetor 50% të shumës, kurse ata që kanë marrë vlerësimin “jo mjaftueshëm” nuk përfitojnë shpërblim. Vlerësimi i punës së një viti do të kryhet nga eprori i drejtpërdrejtë.
Katër nivelet e vlerësimit
Niveli 1: Shumë mirë
Mbarëvajtja në punë është në nivelin e pritshëm. Nëpunësi ka përmbushur saktësisht të gjitha objektivat e përcaktuara në fillim të vitit, apo edhe ato të shtuara gjatë vitit të vlerësimit.
Niveli 2: Mirë
Mbarëvajtja në punë arrin nivelin që pritet në pjesën më të madhe të objektivave, por, gjithsesi, në disa prej tyre pritet realizim në nivele më të larta.
Niveli 3: Kënaqshëm
Mbarëvajtja në punë përmbush kërkesat bazë të vendit të punës, pa dobësi serioze.
Niveli 4: Jo mjaftueshëm
Arritjet në punë janë nën nivelin e pritshëm, të paktën në disa prej fushave kryesore dhe kërkon përkushtim më të madh e aftësi për të arritur një nivel të përgjithshëm, të kënaqshëm.