E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Qeveria, strehë e ministrave nën hetim

 

Kreu i selisë rozë, Edi Rama akuzoi dje qeverinë, se po bëhet strehë e ministrave të pandehur. Në një prononcim për shtyp, Rama tha se "Shqipëria mbetet një vend, ku cenohet e drejta e qytetarëve të thjeshtë dhe ku qeveritarët përfitojnë padrejtësisht në kurriz të popullit". "Shqipëria mbetet një vend, ku e drejta e pronës njihet me Kushtetutë, ligj e fjalë dhe shkelet me bekimin e qeverisë nga sekserë si dallkauku serb, që ka kthyer në sekser të tijin Kryeministrin e Shqipërisë dhe që në 3 vjet është bërë jo vetëm pasunar i madh me 50 milionë euro të pa taksuara, por edhe pronar i madh në Shqipërinë tonë", tha kreu socialist. Sipas tij, ministrat e Drejtësisë, qoftë ai që sot punon si zëdhënësi i oborrit kryeministror, qoftë ai që nga oborri kryeministror u ngrit në karrigen e ministrit, kanë si meritë të vetme ofrimin gratis për oborrin, të ndihmës juridike për të mundësuar të paktën zullumin e veprimtarisë së paligjshme të Gërdecit, zullumin e pasurimit të paligjshëm të sekserit serb të Sali Berishës, zullumet e tjetërsimit të pronave nëpër Shqipëri. Ndërkohë, Rama vuri në dukje edhe shkeljen e të drejtave të grave e vajzave. Sipas tij, trafiku dhe shfrytëzimi i tyre mbetet i madh, sidomos për vajzat nën 18 vjeçe, të cilat janë bërë burim fitimi për mafiozët. "E drejta e punës së ndershme shkelet përditë për qindra mijëra qytetarë, të cilëve nuk u hapet asnjë perspektivë tjetër dhe që vazhdojnë të mbahen nga dërgesat e emigrantëve" tha Rama. Sipas tij, puna në të zezë skllavëron jo vetëm të rritur, por edhe të mitur, të cilët arrijnë të çmontojnë edhe bomba. "Shqipëria mbetet një vend, ku e drejta e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme mbetet në një pikëpyetje të madhe", tha Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›