E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Bankat të mos ulin kredinë”

 

Fabiola Çela

Kriza botërore do të ndikojë konsumin në Shqipëri. Për herë të parë, dy ministrat përgjegjës për ekonominë dhe financën, paralajmërojnë efektet e krizës globale. Edhe pse me tone dhe fjali jo fort alarmuese, Bode dhe Ruli, kanë dhënë dje parashikimet dhe udhëzimet e para për efektet negative, që do ndikojnë në vitin 2009. Duke shfrytëzuar punimet e djeshme të asamblesë së Përgjithshme të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Bode nënvizoi, se janë bankat ato që duhet të japin sinjale për kapërcimin e krizës. Mesa duket ministri ka pasur informacione për një lloj trembje të bankave në kreditimin e ekonomisë. Ai më tej, la të kuptohet se kjo tutje e bankave ka ardhur si efekt i krizës së mëmave të tyre dhe jo tregut vendas. "Ne deri më sot jemi mburrur se bankat në Shqipëri janë rajonale, të huaja. Por pse janë rajonale s'duhet të reagojnë në mënyrë të tillë. Ne nuk duhet të paguajmë inefeciencat e bankave të huaja". Ministri i ka kërkuar biznesit që të mos panikohet, por të vazhdojë investimet e tij normale. "Ne vitin 2009 e kemi marrë seriozisht si një vit që kërkon përqendrimin e vëmendjes së qeverisë përmes përpjekjeve për të rritur e mos dekurajuar konsumin në Shqipëri. Ekonomia shqiptare ka një të ardhme më të sigurtë nëse ju mbeteni aktivë".
Për herë të parë ministri i Financave Bode, tha se në vendin tonë kjo krizë reflektohet tek konsumatorët dhe jo tek biznesi prodhues. "Niveli i konsumit në Shqipëri do të ketë luhatje të vogla, por nuk do të bjerë për të dëmtuar aktivitetet prodhuese. Ne si qeveri dhe ju duhet të dimë se kriza nuk vjen për ju, por për blerësin ndaj dhe ne duhet ta mbështesim dhe inkurajojmë atë me të gjitha metodat, t'i krijojmë siguri dhe jo panik". Sipas ministrit Bode, kjo krizë botërore po kthehet në një krizë ekonomike, ose e thënë ndryshe përkthehet në frikë për konsumatorët.
Ndërsa për ministrin e Ekonomisë, Genc Ruli jetojmë në një kohë kur biznesi nuk duhet të udhëhiqet nga instinkti, por duhet të studiojë me imtësi çdo fushë, ku ai kryen investimet në mënyrë që t'u paraprijë risqeve. "Jetojmë në periudha të mjegullta të zhvillimit të ekonomisë globale, në impakte sërish të mjegullta ndaj dhe bizneset duhet të fillojnë të bëjnë disa investigime, për të parë se ku ekspozohen ndaj këtyre risqeve të pritshme në sektorë të ndryshëm te ekonomisë sonë. Gjithashtu, për të parë edhe eksperiencat e vendeve të ngjashme me ne nga struktura ekonomike dhe nga shkalla e rreziqeve të ekspozimit ndaj krizës ekonomike globale", theksoi Ruli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›