Zyrtarizohet shpërblimi për pensionet
FABIOLA ÇELA
Edhe këtë vit pensionistët do t’i gëzohen marrjes së shpërblimit për festat e fundvitit. Për të tretin vit radhazi qeveria ka vendosur, që të japë 5 mijë lekë shpërblim për pensionistët. Këtë dhuratë të qeverisë do ta përfitojnë si pensionistët e qytetit dhe ata të fshatit. Masa e shpërblimit do të jetë e njëjtë për të gjithë kategoritë e pensioneve.
Shpërblimi
Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, Kryeministri Sali Berisha u shpreh se qeveria do të akordojë dhënien e shpërblimit të fundvitit pensionistëve në masën 5 mijë lekë. Këtë vendim ai e cilësoi si ‘kartolinën e qeverisë për festën e fundvitit”. “Pensionistët, në mbarë vendin do të marrin një shumë prej 5 mijë lekësh, kudo që ndodhen dhe të së gjitha kategorive. Kjo shumë nuk llogaritet në rritjen e premtuar të pensioneve. Rritja e pensioneve në datën 1 maj do të jetë 20 për qind për pensionet në fshat dhe 10 për qind për pensionet në qytet”, tha ai. Në deklaratën e tij Berisha reagoi edhe ndaj akuzave të ngritura nga opozita për dhënien e shpërblimit. “Shpërndarja e lajmeve nga zyrat e ‘dëshpërimit’ se nuk ka lekë për rritjen e pensioneve, më lejoni t’i siguroj 520 mijë pensionistë shqiptarë se lekët ekzistojnë dhe pensionet në 1 maj, për 170 mijë pensionistë në fshat do të kapin dyfishimin e tyre dhe për 260 mijë pensionistë në qytet pensionet rriten nga 40 deri në 70 për qind në 4 vjet, duke tejkaluar në këtë mënyrë të gjitha premtimet tona, që për pensionet në qytet ka qenë pensione jo më të vogla se 100 dollarë”, ka theksuar kreu i qeverisë demokrate. Në fakt ky është i treti vit radhazi, që qeveria jep shpërblim për moshat e treta me rastin e festave të fundvitit. Ndarja e shpërblimit pritet të kryhet sipas skemës së një viti më parë. Pra, në momentin kur Kuvendi do të miratojë vendimin e qeverisë për dhënien e shpërblimit do të nisë edhe hartimi i listave të emrave dhe përgatitjes së urdhërpagesave, që do të shpërndahen në zyrat e postës, ku bëhet edhe shpërndarja e pensioneve. Mendohet që ky shpërblim të shpërndahet në 10 ditëshin e fundit të këtij muaji në mënyrë që të gjithë pensionistët të mund të marrin shumën prej 5 mijë lekësh, që pritet të jepet në formë shpërblimi.
Përfituesit
Këtë shpërblim do ta përfitojnë të gjithë personat që marrin pension pleqërie, invaliditeti, familjar, pensione të posaçëm, shpërblim si veteranë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, kur nuk përfitojnë pension tjetër, personat me trajtim të veçantë si punonjës të nëntokës dhe industrisë ushtarake.
Nuk përfitojnë shpërblim
• Personat që marrin pension për vjetërsi shërbimi si ish-ushtarakë dhe ish-punonjës të Policisë së Shtetit
• Personat që marrin pension suplementar shtetëror si punonjës të shtetit dhe që nuk kanë plotësuar kushtet për të përfituar pension pleqërie.