Ahtisari merr “Nobelin për Paqe” në Oslo
Në Oslo të Norvegjisë u zhvillua dje ceremonia e dhënies së çmimit “Nobel për Paqe” për vitin 2008 Marti Ahtisarit.
Ahtisari, ish-i dërguari i OKB-së për statusin e Kosovës, në prag të marrjes së çmimit i kërkoi Serbisë që përpara se të hyjë në BE të pranojë gabimet e bëra në Kosovë. Me këtë rast, Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, i dërgoi Marti Ahtisarit një telegram ku ndër të tjera thuhej se institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës e vlerësojnë lart vendimin e Komitetit të Lartë të Mbretërisë Norvegjeze të Nobelit për ta shpërblyer Ahtisarin me këtë çmim kaq prestigjioz. “Kjo mirënjohje është satisfaksion i madh për të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë në botë, të cilët janë të përkushtuar për promovimin e paqes, të drejtësisë dhe të pajtimit mes popujve. Ne ju jemi posaçërisht mirënjohës për punën e madhe, për urtësinë dhe largpamësinë e rrallë që keni treguar gjatë udhëheqjes së procesit të bisedimeve për pavarësinë e vendit tonë”, - theksohet në telegramin e Presidentit Sejdiu.
Beogradi, bashkëpunim me EULEX-in për problemet e serbëve
Sekretari i Shtetit në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviç, ka deklaruar se Beogradi do të bashkëpunojë me EULEX-in për të imponuar zgjidhjen e problemeve të cilat janë prioritet për serbët, si siguria fizike dhe siguria juridike dhe pronësore e tyre. Ivanoviç tha se qeveria serbe do të bëjë përpjekje që serbëve të Kosovës t’u shpjegojë se detyra e EULEX-it është që të mbikëqyrë punën e policisë dhe të gjyqësisë dhe se kjo është në interes të tyre. Ai akuzoi opozitën serbe se ka nxitur serbët për të mos e pranuar misionin europian, sepse për EULEX-in flet negativisht.
11 Dhjetor 2008