E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkodër, vrasësi i mori borxh biznesmenit 9.3 milionë lekë

 

Krimi në Shkodër është kryer për një borxh që autori i kishte viktimës. Një dokument i siguruar nga gazeta fakton këtë të dhënë, duke zbuluar të vërtetën e parave që shkaktuan vrasjen e Arben Bitanjit pasditen e së hënës.
Në bazë të një akti noterial, të mbajtur në muajin tetor, zbardhet jo vetëm se Afrim Rraboshta ishte personi që i kishte marrë borxh viktimës, por dhe se vlera ishte në shuma shumë herë më të mëdha, rreth 9.3 milionë lekë. Menjëherë pas arrestimit, 37-vjeçari Rraboshta e cilësoi vrasjen e biznesmenit të ndërtimit në gjaknxehtësi e sipër, vetëm për 500 mijë lekë, që Bitanji i kishte borxh dhe nuk ia kishte kthyer. Ndonëse u duk si i dyshimtë ky variant, policia e konfirmoi dëshminë e autorit, nisur nga fakti se ai ishte njëkohësisht pohuesi i të gjithë ngjarjes. Pas servirjes së një dëshmie të tillë, vetëm dje u arrit të mësohej se e vërteta ishte ndryshe. Pikërisht më 8 tetor të këtij viti, në prani të një noteri, i arrestuari për vrasje, Afrim Zeqir Rraboshta, ka firmosur deklaratën noteriale për marrjen e një borxhi. "Për nevojat e mia ekonomike familjare, deklaroj se kam marrë nga Arben Bitanji shumën prej 50 mijë eurosh, 30 mijë dollarëve dhe 500 mijë lekëve të reja dhe do t'ia kthej këto para më 1 shtator 2009", ka pohuar në këtë dokument Rraboshta, në praninë e noterit Klement Radovani. Por, ndonëse ky akt është kërkuar nga Arben Bitanji, për ta pasur si provë në dhënien e parave, ai nuk arriti kurrë që ta shfrytëzonte. Pasditen e 8 dhjetorit, plot 2 muaj pasi u firmos akti noterial, ai u ekzekutua me 2 plumba pistolete nga personi të cilin e kishte ndihmuar me paratë. Bitanji u gjet i vrarë në makinën e tij luksoze, pak minuta pasi kishte zhvilluar një debat të fortë në një lokal të fshatit Barbullush me autorin e krimit. Kjo provë pritet t'i kalojë prokurorisë së rrethit, si dokument që hedh poshtë kategorikisht mbr-ojtjen që bëri 37-vjeçari Rraboshta. Ndryshimi i të gjithë linjës mbi motivet e krimit ka ndryshuar njëkohësisht dhe rrethanat e krimit. Duket se grupi i hetimit do të vërë në dyshim dhe shpjegimin e autorit se krimi ndodhi në gjaknxehtësi e sipër. Bazuar në dokumentin noterial, për të cilin kishte dëshmitarë, nuk dihet pse mes Rraboshtës dhe Bitanjit është provokuar grindja, kur data e kthimit të parave ishte caktuar rreth 1 vit më vonë. Përveç këtij fakti, 37-vjeçari ishte i armatosur dhe ka hipur për disa metra në makinën e viktimës që po udhëtonte drejt Shkodrës, ndonëse vetë jetonte në fshatin Barbullush. Në Gjykatën e Shkodrës pritet sot të vlerësohet masa e sigurisë për Afrim Rraboshtën, ku do të zbardhen dhe detajet mbi dosjen që rëndon tashmë ndaj tij.

Institucionet

Republika e Shqipërisë        Nr. REP 1247
Dhoma e Noterëve            Nr KOl 860
SHKODER                       
DEKLARATË NOTERIALE

Në Shkodër, sot më datë 08/10/2008 (dymijë e tetë), ditën e mërkurë dhe përpara meje, noterit Klement Radovani u paraqit personalisht shtetasi:
Afrim Zeqir Rraboshta, i datëlindjes 28/08/1971, lindur dhe banues në Shkodër. Titullar i pasaportës nr. Z 1119114.
Për identitetin e tij u sigurova në bazë të dokumenteve të tij identifikuese dhe njohjes sime personale dhe pasi u binda se i ka të gjitha aftësitë e kërkuara nga ligji me kërkesën e tij i redaktova këtë deklaratë, e cila e plotë përshkruhet më poshtë:
Deklaroj se kam marrë nga shtetasi Arben Bitanji, për nevojat e mia ekonomike familjare, shumën prej 50.000 euro, (pesëdhjetë mijë), 30.000 USD, (tridhjetë mijë) dhe 500.000 lekë të reja (pesëqind mijë). Premtoj se këto shuma do t'ia kthej shtetasit të lartpërmendur më 01/09/2009.
E bëj këtë deklaratë me kërkesën e shtetasit Arben Bitanji për ta paraqitur ku t'i nevojitet.
Deklaratën e mësipërme pasi e lexova duke e gjetur të rregullt nga ana ligjore dhe konform dëshirës e vullnetit tim të lirë e të plotë, e nënshkruaj në prezencën e noterit si më poshtë:

Deklaruesi            Noteri
Afrim Rraboshta           Klement Radovani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›