Drogë në autobusin e Selanikut
KORÇE/ JORGJETA GJANÇI
Zbulohen në autobusin e linjës Tiranë-Selanik 3 kg drogë. Një operacion i koduar "Debatiku" organizuar nga Drejtoria e Policisë së Korçës bllokoi kokainë dhe heroinë që po transportoheshin në shtetin fqinj. Një 24-vjeçar dhe një vajzë 19 vjeçe, të dy emigrantë në Greqi si dhe një 40-vjeçar, i identifikuar si bashkëpunëtor në trafik u vunë në pranga, pranë Kapshticës. Operacioni i policisë së Korçës, drejtuar nga kreu i saj, Emri Vata u zhvillua rreth orës 15:00. Prej kohësh, forcat e policisë së këtij qyteti kishte mbledhur informacion për këtë linjë trafiku. Ata kanë mbajtur nën vëzhgim personat e dyshuar, derisa e kanë finalizuar me sukses operacionin pranë kufirit të Kapshticës. Kontrollet në autobusin e linjës "Altrans" Tiranë-Selanik kanë gjetur çka dyshohej. Në trupin e emigrantit Artiol Sula, 23 vjeç u gjetën 2.7 kg, e cila mendohet të jetë kokainë. Sipas policisë, i riu nga Korça i kishte lidhur 3 pakot e mbështjella me natriban në pjesën e barkut, duke i mbuluar me rroba. Por, kontrolli fizik ka zbuluar menjëherë drogën. As udhëtarët e tjerë nuk i kanë shpëtuar aksionit. Pikërisht një prej tyre, 19-vjeçarja Neada Kota, nga Korça, por tani emigrante në Greqi, kishte me vete 300 gramë lëndë narkotike, të dyshuar si heroinë. Qesja me drogë ishte fshehur mes sendeve personale të vajzës, në çantën e saj. Ashtu si dhe Sula, edhe vajza e re po udhëtonte drejt Selanikut. Për policinë të dy personat ishin pjesë e trafikut, me destinacion qytetin grek. Pas bllokimit të drogës dhe arrestimit të dy të rinjve, aksioni është zgjeruar me arrestimin e një të treti. Asqeri Bebri, 40 vjeç po nga Korça u prangos nga policia shumë pranë kufirit, pasi po shoqëronte me makinën e tij "Benz" autobusin drejt Greqisë. Në bazë të informacioneve të policisë, Bebri, pjesë e grupit do të shoqëronte të rinjtë pas zbritjes së tyre nga autobusi deri në destinacion. I arrestuari i tretë ishte dënuar më parë për të njëjtën vepër penale, por pas lirimit ai u mbajt nën vëzhgim nëse do të ripërfshihej në këtë aktivitet. Ndaj të tre të arrestuarve rëndon akuza e "trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, të kryer në bashkëpunim". Një muaj më parë, një studente nga Korça u arrestua në Kapshticë, duke transportuar për në Greqi një sasi të konsiderueshme heroine.