E Shtunë, 31 Tetor 2026

Administrata, 193 ankesa për shkarkime nga puna

 

Aristir Lumezi

Komisioni i Shërbimit Civil ka paraqitur në Kuvend pak ditë më parë raportin e punës së këtij institucioni të pavarur për vitin 2008. Përmes një materiali të gjatë prej më shumë se 50 faqesh, raporti sjell në një pasqyrë të gjithë problematikën që ka pasur gjatë vitit të shkuar administrata publike, nisur kjo dhe nga disa vëzhgime në disa ministri dhe organe të pushtetit vendor. Janë 193 ankesa që kanë mbërritur gjatë vitit të kaluar në Komisionin e Shërbimit Civil nga nëpunës të larguar, kryesisht për shkak të ristrukturimit që ka përfshirë dikasteri. Në analizën e tij vjetore ky institucion është bazuar dhe në mbikëqyrjen që i është bërë disa ministrive dhe organeve të njësive vendore në zbatimin e ligjit për statusin e nëpunësit civil, si Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave; Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta; Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe në institucionet e administratës vendore si Këshilli i Qarkut Durrës; Bashkia Durrës; Këshilli i Qarkut Korçë, Bashkia Korçë, Këshilli i Qarkut Shkodër; Bashkia Shkodër; si dhe në pesë njësitë Bashkiake të Tiranës (5,6,7,10,11), të cilat nuk ishin përfshirë në procesin e mbikëqyrjes. Një proces i cili ka nxjerrë jashtë shërbimit civil dhe për rrjedhojë jashtë administratës publike nëpunësit që i janë drejtuar Komisionit të Shërbimit Civil, i aplikuar rëndom në administratën shqiptare është ristrukturimi, ose e thënë me zhargonin politik, reforma në administratë. Përmes kësaj reforme, janë larguar nga puna një numër i konsiderueshëm nëpunësish që gëzonin statusin e nëpunësit civil, duke u zëvendësuar nga punonjës me kontratë. “Nga analiza e këtij procesi në institucionet e administratës qendrore, problematik klasifikohet rasti i Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, e cila gjatë periudhës janar 2007–maj 2008, është përfshirë tre herë në proces ristrukturimi”, thuhet në raportin vjetor të Komisionit. Sipas këtij raporti, “në aktet që materializojnë këtë proces, institucioni nuk argumenton në asnjë moment nevojën për një dinamikë të tillë ndryshimesh dhe për pasojë nuk reflektohet asnjë lloj përgatitjeje që duhet të paraprijë këtë proces”. Evidentohet se në dy procese ristrukturimi në Ministrinë e Kulturës, ka pasur 8 raste që trajtohen me institutin e listës së pritjes, ndërkohë që 37 pozicione pune janë plotësuar në kundërshtim me ligjin nëpërmjet emërimeve me kontratë, të cilat në çdo moment mund të përbëjnë një mundësi për të eliminuar listën e pritjes. Ankesat e paraqitura nga nëpunës civil të administratës qendrore, (nga ministritë) përbëjnë edhe numrin më të madh të ankesave të trajtuara dhe shqyrtuara nga KSHC për vitin 2008. Nga nëpunës civil të kësaj kategorie janë trajtuar e përfunduar së shqyrtuari 78 ankesa, që zënë 40 % të ankesave të trajtuara. Ndërsa nga nëpunës të administratës vendore u paraqitën 44 ankesa që zënë 22.7 % të ankesave të trajtuara.
Ndërsa nëpunës të Institucioneve të Pavarura kanë paraqitur në KSHC vetëm 12 ankesa (këto ankesa janë paraqitur nga nëpunës të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Komisioni i Shërbimit Civil). Fakti që nuk ka pasur ankesa nga nëpunës të institucioneve të tjera të pavarura flet për stabilitet të marrëdhënieve juridike të punës së nëpunësve të këtyre institucioneve, për respektim dhe garantim të të drejtave të nëpunësve, si dhe për një shërbim civil të qëndrueshëm në këto institucione.

Tatimet,
numrin më
të madh të largimeve

Nga nëpunës të Administratës Tatimore janë paraqitur 37 ankesa që zënë 19 % të ankesave të shqyrtuara, numër ky më i vogël se ai i ankesave të paraqitura në vitin 2007 (që ishin 150 ankesa). Shkak për këtë luhatje të madhe të ankesave të paraqitura nga kjo kategori nëpunësish (viti 2006 - 152 ankesa; viti 2007 - 150 ankesa, viti 2008 - 37 ankesa) Komisioni shprehet se ka ardhur për shkak se ristrukturimi i thellë i administratës tatimore u realizua gjatë viteve 2006 dhe 2007. Kjo kategori nëpunësish është veçuar për shkak të numrit të madh të ankesave të paraqitura prej tyre, në raport me nëpunësit e institucioneve të tjera. Reformat në sektorin e tatim-taksave janë mbajtur nën emrin e prioritetit të qeverisë për të luftuar korrupsionin, prioritet që është shoqëruar me largime masive nga puna, ndërsa ka pasur dhe rekrutime të mëdha në degët e tatim taksave.

Mbikëqyrja e Komisionit

Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve

Këshilli i Qarkut Durrës

Bashkia Durrës

Këshilli i Qarkut Korçë

Bashkia Korçë

Këshilli i Qarkut Shkodër

Bashkia Shkodër

Njësitë Bashkiake të Tiranës(5,6,7,10,11)

Komisioni shmang dhënien e shifrave të dëmit ekonomik
Në raportin e tij vjetor, Komisioni i Shërbimit Civil ka shmangur nxjerrjen e shifrave të dëmit ekonomik që shoqëron shkeljet e ligjit. Edhe pse ligji nuk penalizon drejtuesit e institucioneve, të cilët kanë vendosur largimin e nëpunësve nga detyra, duke humbur kështu dhe statusin e nëpunësit civil, fitimi i së drejtës për t’u rikthyer në punë ose për të hyrë në listën e pritjes, shkakton kosto financiare për buxhetin e shtetit. Meqë paraqitja e shifrave të dëmit ekonomik, një vit më parë, nga shkeljet e shkaktuara shkaktoi jo pak debate në radhët e deputetëve të maxhorancës, por dhe nuk përmirësoi zbatimin e ligjit të nëpunësit civil, ka detyruar Komisionin e Shërbimit Civil t’i shmanget paraqitjes së shifrave. Nëse do të bënim vetëm një referim pagash, punonjësit e tatim taksave, të cilët rifitojnë të drejtën e tyre për t’u rikthyer në vendin e punës por dhe të dëmshpërblehen për kohën e munguar në punë, ata do të përfitonin vetëm për një vit një pagë prej rreth 700 mijë lekë të reja për person në vit. Nga 193 ankesat e paraqitura në Komisionin e Shërbimit Civil, kanë rifituar të drejtën e tyre 91 për qind e tyre, duke kaluar edhe shkallën e Gjykatës së Apelit, gjë që tregon se fatura ekonomike e dëmshpërblimit për nëpunësit e larguar shkon në shifra shumë të larta. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›