Vrau gruan, i moshuari kërkon ulje dënimi
TIRANE - Selman Lala, 79-vjeçari i burgosur për vrasjen e bashkëshortes së vet 76-vjeçare, kërkoi dje në Gjykatën e Tiranës një dënim më të butë nga ai me 15 vite burg, që paraqiti prokurori i çështjes. Kërkesën, në emër të klientit, e paraqiti mbrojtja e tij për shkak se i moshuari ndodhet në spitalin e burgut. Mbrojtja pohoi në gjykatë se në llojin dhe masën e dënimit trupi gjykues duhet të kishte parasysh faktin se i moshuari qëlloi ndaj bashkëshortes në kushtet e tronditjes psikike të momentit, ndërsa tashmë ai ndodhet duke vdekur në qeli për shkak të një kompleksi sëmundjesh, që stimulohen nga mosha e madhe dhe kushtet e qelisë. Lala, i cili mban qëndrim mohues ndaj akuzës, vrau me armë gjahu, bashkëshorten e vet gjashtë muaj më parë në fshatin periferik të kryeqytetit, Sharrë, pas një grindjeje që pati me të.