Ekspozitë - homazh viktimave të diktaturës komuniste
Alma Mile
Janë dokumente tronditëse. Fotografi makabre pushkatimesh, të vrarësh në kufi, dhoma të mbushura me kufoma e fytyra të zverdhura përpara hetuesisë. Ekspozohen për herë të parë. Janë të rënda, rrënqethëse, por janë dëshmi të një kohe që nuk duhet të përsëritet më. “Nderim viktimave të sistemit komunist”, titullohet ekspozita që hapet sot në hollin e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë. Një ekspozitë kushtuar viktimave të diktaturës komuniste. Një homazh për të pushkatuarit, të burgosurit, të internuarit, por edhe për të gjithë shqiptarët, që jetuan në frikë gjatë viteve të diktaturës. Janë vitet 1944-1990, që vijnë përmes një instilacioni gjigand të vendosur në qendër të hollit, foto-intalacioneve, kolazheve filmike të kohës, apo objekteve të viktimave. Ekspozita e sotme vjen si një iniciativë e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, Arkivin Qendror të Shtetit, Arkivin e Filmit, Agjencisë Telegrafike Shqiptare dhe Galerisë Kombëtare të Arteve. “Ekspozita hapet ditën kur 18 vjet më parë ranë mitet e komunizmit”, - tha në një konferencë për shtyp të organizuar me këtë rast, Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango. Sipas tij kjo ekspozitë, e para në llojin e vet, e ka fillimin qysh në vitin ’44 në eliminimet e para, për të vijuar pas çlirimit me parlamentarët opozitarë e për të hyrë thellë në vite, në eliminimet e “grupeve” armiqësore, në eliminimin e klerit katolik, shembjen e kishave dhe xhamiave, etj. Duke u futur në detajet e ndërtimit të ekspozitës, Pango thotë se ajo është ngritur mbi katër elementë kryesore artistikë, të cilët janë ndërveprues me njëri-tjetrin. Bëhet fjalë për instilacionin, foto-instalacionin, projeksionin filmik dhe objekte të përditshmërisë së të burgosurve, të dhuruara prej tyre apo familjarëve të tyre, objekte këto që dëshmojnë histori tragjike njerëzore. Në këtë ekspozitë është përfshirë edhe një pavijon i rëndësishëm mbi gjenocidin ndaj popullit kosovar, të trajtuara në një mënyrë të re konceptimi, ndërthurur me komponentë të rinj, që do të kalojnë kornizat e të zakonshmes, përmes efekteve të ndriçimit, zërit, formave etj. Pas fondit të akorduar nga qeveria për çeljen e kësaj ekspozite, për këtë projekt po investojnë një sërë institucionesh, duke kontribuar me dorëzimin e materialeve origjinale fotografike, dokumenteve, objekte të përdorura nga të burgosurit, duke plotësuar anën vizuale dhe atë të përmbajtjes së ekspozitës.
Viktimat e sistemit komunist
Të pushkatuar e të vdekur në burgjet e komunizmit 6535
Të pushkatuar 5548, mes tyre 91 gra
Të burgosur 14563, mes tyre 445 gra
Të vdekur në burg 987, mes tyre 7 gra
Të futur në psikiatri 308, mes tyre 35 gra
Të internuar e të dëbuar 21401, mes tyre 9322 gra
U pushkatuan, burgosën dhe vdiqën në burgje:
Klerikë katolikë 120
Klerikë bektashinj 83
Klerikë myslimanë 60
Klerikë ortodoksë 39
U shkatërruan dhe u mbyllën
2169 institucione fetare
Xhami 740
Kisha e manastire ortodokse 608
Kisha e manastire katolike 157
Teqe e tyrbe 530
Vrasjet në kufi ’88-’90, për herë të parë dëshmitë
Janë rreth 180 metra linearë fotografi. Shumë syresh makabre. Kuratori i ekspozitës “Nderim viktimave të sistemit komunist”, Rubens Shima, thotë se 80% e materialit të përdorur për këtë ekspozitë është i paekspozuar më parë. Foto-instalacioni është struktura bazë e ekspozitës. Janë fotografi origjinale, bardhë e zi, të shoqëruara me ndriçim nga pas. Ndër fotografitë që ekspozohen për herë të parë janë vrasjet masive në kufi në vitet ’88-’90, kur tashmë kishte ndryshuar kodi penal për kalimin e kufirit. Janë pamje tepër të rënda, të cilët nuk janë parë as nga të afërmit e viktimave. Sipas Shimës, për arsye etike i kanë hequr emrat e viktimave, në mënyrë që ato të mos jenë tronditëse për familjarët e tyre. Të tjera fotografi të paekspozuara më parë janë ato që i takojnë masakrës në Hotel “Bristol”, pas hyrjes së komunistëve në Tiranë në vitin 1944, ku u vranë nëpër dhomat e hotelit me dhjetëra njerëz. Mes seleksionimit të materialeve të sjella nga arkivat, janë gjetur mes tyre edhe foto-portrete të të pyeturve në hetuesi. Janë portrete burrash e grash, në pamjet ballore dhe anësore. Portrete të shpërfytyruara prej tmerrit, që zor se mund të njihen. Duken njerëz të thjeshtë, punëtorë, fshatarë, gra me sy të zgurdulluara e me shami në kokë. Fytyra të shprishura, që nuk mund ta fshehin terrorin. Mes morisë së fotove të grumbulluara, që do të zënë një panel prej 15 metrash, janë edhe njerëz të njohur si përkthyesi i njohur Jusuf Vrioni, shkrimtari Mitrush Kuteli, etj. Edhe në këtë rast janë hequr emrat e të fotografuarve.
Në qendër të hollit do të vendoset një instilacion i përmasave të mëdha, që paraqet një gardh me tela me gjemba, 15-metra i gjatë dhe 3-metra i lartë. Sipas muratorit Shima, ky instilacion nuk të kujton vetëm vitet e diktaturës dhe viktimat e saj, por tregon edhe mentalitetin e atyre njerëzve, që nuk duan të distancohen nga kjo periudhë. Projeksionet filmike, të cilat shfaqin momente të përshkallëzimit të dhunës dhe krimeve të kryera gjatë gjithë periudhës në fjalë. Një pjesë e ekspozitës është kthyer në një black-box, ku do të shfaqet një kolazh filmik, nga Arkivi i Filmit dhe Televizioni Shqiptar. Ekspozita është konceptuar në mënyrë të tillë, që përmes efekteve të dritës, zërit, video projeksionet, të përfshijë emocionalisht vizitorët, sigurisht duke i dhënë ndjesinë e përjetuar vërtet momentet dhe ngjarjet e shëmtuara, po aq dhe reale.
Dita e rënies së diktatorit
Nuk është e rastësishme përzgjedhja e datës 20 shkurt për hapjen e ekspozitës, për të nderuar viktimat e diktaturës komuniste. Pikërisht në këtë datë, 18 vjet më parë, u rrëzua monumenti i diktatorit Enver Hoxha, që ngrihej pranë Sheshit “Skënderbej”, pas protestave të nisur nga studentët. Rënia e simboleve të komunizmit në Shqipëri, më 20 shkurt të vitit 1991, do të përkujtohet në Tiranë me një sërë aktivitetesh, mes të cilave edhe dekorimi nga Presidenti i Republikës i 14 protagonistëve të kësaj ngjarjeje, si dhe një aktivitet në kuadër të 18 vjetorit të grevës së urisë së mbi 700 studentëve e pedagogëve të universiteteve të vendit.
“Filumena Marturano”, sot në Teatrin Kombëtar
“Në çdo grua ka Filumenë”. Kështu thotë aktorja Yllka Mujo, një ditë përpara premierës së dramës “Filumena Marturano”. Kryevepra e dramaturgjisë botërore e autorit italian Eduardo de Filippo, shfaqet sot në skenën e Teatrit Kombëtar, nën regjinë e Albert Minga dhe skenografi të Agim Zajmit. Sipas regjisorit Albert Minga, “Filumena Marturano, është një dramë thellësisht realiste që zbërthen shpirtin e trazuar njerëzor. Gjithashtu regjisori paralajmëron se në shfaqje ka gjetje origjinale në drejtim të zgjidhjes figurative të spektaklit, siç është interpretimi aktorial dhe bashkëpunimi me skenografin Agim Zajmi. “Për të parën herë, në teknikën e ndërtimit është përdorur afresku, që në dramacitetin e veprës krijon një mjedis poetik që shpërfaq konfliktet e mëdha mes personazheve dhe realitetit jetësor”, - tha Minga, i cili ndërsa përdor një shprehje të regjisorit Pirro Mani, thotë se në këtë shfaqje do të jetë e vështirë të ndash punën e regjisorit nga ajo e aktorit e skenografit. Për protagonisten e shfaqjes, Yllka Mujo, roli i Filumenës është i vështirë, por tepër i bukur, sepse ajo është pjesë e të gjitha grave. Duke e konsideruar veten si një aktore shumë kërkuese dhe që nuk kënaqet kurrë nga ajo që arrin, Mujo thotë se Filumena nis të premten (sot), për të mos mbaruar gjatë gjithë kohës që ajo do të shfaqet. Krahas aktores Yllka Mujo, do të ngjiten në skenë , Bujar Asqeriu, Tinka Kurti, Vangjel Toçe, Neritan Liçaj, Arben Derhemi, Olta Gixhari, Fadil Kujofca, Gjergji Mena, Nigela Ruka, etj. Një staf, pjesën më të madhe të të cilit e kemi ndjekur në dramën “Pamje nga ura” me regji të Mingës, e cila pati një numër rekord shikuesish.
“Beteja e nuseve” në kinema “Millenium”
“Beteja e nuseve” (“Bride Wars”) po shfaqet edhe në Kinema “Millenium”. Një prodhim hollivudian prej 90 minutash me regji të Gary Winick. Të bukura, bjonde e brune, do të donin të thoshin “Po” në një ditë pranvere brenda salloneve luksoze të hotel Plaza. Kate Hudson dhe Anne Hathaway janë mike për kokë në komedinë njujorkeze të regjisorit Gary Winick, që reflekton me komicitet rreth “ditës më të bukur të jetës” dhe miqësisë femërore. Mike dhe armike, nuse dhe shoqëruese, të gëzuara e të hidhëruara, Ema e Liv ëndërrojnë që të vogla martesën e tyre. Liv, një avokate e suksesshme, profesion që e ka ndihmuar të ketë atë që ka dashur, përfshirë edhe një punë dhe burrë të shkëlqyer, kërkon të arrijë pa pyetur për asgjë martesën perfekte që ajo ka ëndërruar prej vitesh. Emma, një mësuese shkolle që gjithmonë ka qenë e mirë për t’u kujdesur për të tjerët, por jo shumë për veten e vet, kur zbulon këtë anë të shoqes së ngushtë, lufton për t’ia arritur edhe ajo realizimit të ëndrrës së vet. Tani, të dyja shoqet e mira, do të bëjnë çdo gjë për veten e tyre në të dy anët e “barrikadës”, në një betejë që është gati të shndërrohet në luftë.