E Shtunë, 31 Tetor 2026

“PS, përgjegjëse nëse Shqipëria nuk merr statusin e vendit kandidat”

27-07-2011 / Gazeta 55

Arben Malaj/ Deputeti socialist drejton gishtin ndaj kursit të gabuar të kryetarit, duke e akuzuar Edi Ramën se ka nxjerrë jashtë loje forumet e se po e drejton partinë me praktika autoritariste 

Anëtari i kryesisë së Partisë Socialiste dhe njëherazi deputet i kësaj force politike, Arben Malaj, deklaron se PS është kapur nga një frymë autoritariste, ku nuk funksionojnë forumet drejtuese dhe se emërimet bëhen direkt nga kryetari. Duke iu referuar situatës së fundit politike brenda Partisë Socialiste, Malaj tha se thelbi i dialogut dhe mendimit liberal është gjithnjë e më larg.
“Më duhet të them se demokracia në PS është cenuar. Z. Rama duhet të ndalë ambicien personale më misionin si lider i Partisë Socialiste, apo i të majtës. Një lider politik duhet të shoh më larg se ambiciet personale. Kanë dy vite e gjysmë që shqiptarët prisnin që zgjedhjet të lehtësonin krizën politike. Kriza e zgjedhjeve vendore ju bashkangjit krizës së zgjedhjeve parlamentare. Por, problemet shkojnë edhe më tej. Partia Socialiste nuk konfiguron dot drejtimin e FRESSH, apo forumin e Gruas, apo nuk mblidhet kryesia. Linja zyrtare nuk ka të bëjë me debatin se çfarë duhet bërë më mirë. Ne e dimë, e gjithë kjo e Edi Ramës është një aksiomë për pushtet absolut. Ne duhet të ndërtojmë një sistem që të krijojë besueshmërinë e anëtarëve të partisë. Kjo nuk është luftë individësh”,- u shpreh deputeti socialist, Malaj.
Ai tha se PS është e paqartë se çfarë aksioni politik do të instrumentalizojë gjatë muajit shtator dhe në vijim. Sipas tij, Bashkimi Evropian pret që PS të kthehet në Kuvend dhe të luftojë aty për reformat.
“Është e paqartë se çfarë do të ndodhë në shtator. Ne mund të ishim kthyer në parlament brenda muajit korrik, por jo. Duhet të kujtojmë se për herë të parë Fyle dhe Ashton ju drejtuan Shqipërisë shumë qartë me refrenin: ‘na ndihmoni që t’ju ndihmojmë’. Dhe e gjitha ishte për të marrë një vendim pozitiv në lidhje me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ne mund të shkojmë në parlament në Shtator, por nuk kemi asnjë mundësi që të zgjidhet problemi i statusit kandidat”.
Malaj foli dhe për kërcënimet e Ramës ndaj një përjashtimi të mundshëm të dy deputetëve socialistë, Andis Harasani dhe Kastriot Islami.
Sipas Malajt ata nuk kanë marrë asnjë vulë me vete, por vazhdojnë të jenë dy faktorë oponentë ndaj mënyrës së drejtimit të PS sot.
“Harasani dhe Islami nuk kanë marrë ndonjë vulë nga PS. Në PS mendojnë se mjafton të kenë vulë për të vënë deputete dhe mendojnë se këto i mbajnë në pushet. Ne jemi e vetmja republikë që zgjidhim me votë të drejtë vetëm kryetarin e komunës dhe të bashkisë. Strukturat që merren me zgjedhjet u bënë partiake, problemet e balancës së pushteteve u thjeshtuan. Sistemin zgjedhor e ka sqaruar Islami dhe Gjinushin që nuk nxjerr fitues partinë më të madhe, por koalicionin më të madh”, deklaroi më tej deputeti socialist.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›