Administrata detare si pjesë e integrimit
Ndryshimet thelbësore politike dhe zhvillimet ekonomike e shoqërore në Shqipëri, gjatë viteve të fundit, kanë ndikuar edhe në fushën e transportit detar. Vendi ynë, më 24 maj 1993, u pranua si vend anëtar i Organizatës Ndërkombëtare Detare (International Maritime Organization). Kjo organizatë pas anëtarësimit të vendit tonë me të drejta të plota, dërgoi në Shqipëri misionet e saj për monitorimin e situatës në lidhje me legjislacionin dhe institucionet përkatëse që operonin në fushën e detarisë. Pas kësaj faze monitorimi, u paraqit nga kjo organizatë një projekt, i cili konsistonte në dy drejtime. Drejtimi i parë ishte i fokusuar në hartimin e një legjislacioni modern për fushën e sektorit detar, në përputhje me konventat ndërkombëtare detare, kurse drejtimi i dytë konsistonte në krijimin dhe organizimin e strukturave përkatëse të administratës detare në Republikën e Shqipërisë, për zbatimin e këtij legjislacioni.
Në lidhje me legjislacionin që rregullon fushën e detarisë në Shqipëri, mund të shprehemi se ndër vite është punuar së tepërmi në këtë drejtim nga ekspertët e fushës në Ministrinë e Transportit. Konkretisht, në korrik të vitit 2004 u miratua “Kodi Detar i Republikës së Shqipërisë”, gjithashtu vlen të përmendet se janë miratuar konventat më të rëndësishme ndërkombëtare detare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe të Organizatës Ndërkombëtare Detare (IMO), ku mund të përmendet, konventa “Për të Drejtën e Detit”, konventa “Mbi Kushtet e Regjistrimit”, konventa e “Sigurisë së Jetës në Det (SOLAS,1974)”, konventa “Mbi Standardet e Trajnimit, Kualifikimit dhe Punësimit të Detarëve 1978”, konventa e Gjenevës “Për Arrestimin e Anijeve” etj. Të gjitha këto zhvillime legjislative bënë të domosdoshme riorganizimin e strukturave ekzistuese të detarisë, në përputhje me Kodin Detar Shqiptar, si dhe plotësimin e kuadrit institucional me ngritjen e strukturave të reja të cilat do të përbëjnë, në tërësinë e tyre, administratën detare shqiptare.
Për këtë qëllim Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit ka hartuar ligjin për “Administratën Detare të Republikës së Shqipërisë”, i cili u miratua ditën e djeshme në Kuvend me 96 vota pro, 0 kundër dhe pritet të hyjë së shpejti në fuqi pasi të shpallet nga Presidenti i Republikës.
Qeveria në programin e saj paraqet si prioritet riorganizimin dhe funksionimin e administratës publike. Duke u mbështetur në këtë program si dhe në strategjinë e saj për transportin, ku reflektohen të gjitha angazhimet e ndërmarra nga vendi ynë, për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, synohet që me anë të këtij ligji të arrihen standardet e kërkuara për fushën e detarisë, me qëllim integrimin e vendit tonë në Komunitetin Evropian dhe atë ndërkombëtar.
Gjatë periudhës shtator 2007 e në vazhdim, për përgatitjen e këtij ligji, qeveria spanjolle, nëpërmjet ambasadës së saj të akredituar në Shqipëri, ofroi konsulencën e ekspertëve spanjollë për fushën e detarisë, të cilët, pasi kryen një analizë të gjerë rreth situatës ekzistuese të institucioneve të angazhuara në sektorin detar, prezantuan raportin final për modelin që duhet të ndiqej nga vendi ynë për krijimin e administratës detare.
Gjithashtu, nga muaji korrik 2008 e në vazhdim, ka filluar procesi për marrjen e asistencës së një kompanie të huaj konsulence, për të cilën Banka Botërore ka miratuar një fond prej 1.000.000 $, për t’i garantuar specialistëve shqiptarë, konsulencën dhe asistencën teknike të nevojshme nga momenti i krijimit të administratës detare, gjer në vënien në eficencë të strukturave përbërëse të saj. Mësohet se kompania që është përzgjedhur për të asistuar dhe ndihmuar për fuqizimin e administratës detare shqiptare, është një grup italian shumë i njohur dhe me eksperiencë të hershme për konsulencën në fushën e detarisë.
Gjatë përgatitjes së këtij projektligji, janë marrë gjithashtu në shqyrtim një sërë legjislacionesh, jo vetëm të shteteve me eksperiencë në këtë fushe, por edhe atyre shteteve të cilët kanë krijuar këtë institucion me projekte të Organizatës Ndërkombëtare Detare dhe financime nga Banka Botërore, siç është rasti i Shqipërisë.
Ky ligj, në përmbajtjen e tij paraqet organizimin dhe funksionimin e administratës detare me strukturat drejtuese dhe ekzekutive të saj si: Drejtoria e Përgjithshme Detare, Autoriteti Shtetëror i Sigurisë Portuale, Regjistri i Mjeteve Lundruese dhe Regjistri i Detarëve, Kapiteneria e Porteve, Kontrolli Shtetëror Portual dhe Kontrolli i Flamurit.
Mbi bazën e këtij ligji, me krijimin e administratës detare si autoriteti përgjegjës për funksionimin e sektorit detar në vendin tonë, do të plotësohet boshllëku i krijuar ndërmjet legjislacionit aktual, tashmë të miratuar, dhe mungesës së strukturave administrative për zbatimin e tij, duke ndikuar në këtë mënyrë në zhvillimin dhe komercializimin e porteve, në garantimin e Safety dhe Security për trafikun detar, për industrinë e peshkimit dhe turizmit, në zbatim të kërkesave të konventave ndërkombëtare dhe legjislacionit evropian, për fushën e detarisë.