E Shtunë, 31 Tetor 2026

Administrata e Obamës, letër paqtuese Iranit

Nga e përditshmja britanike "The Guardian", bëhet me dije se zyrtarët e adminsitratës së re amerikane kanë përgatitur një letër për shtetin e Iranit në emër të Presidentit Obama, me të cilën kërkon të shkrijë marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit në kuadrin e bisedimeve dypalëshe.

Departamenti amerikan i Shtetit po punon mbi këtë letër që prej ditës së zgjedhjes së Obamës në postin presidencial, më 4 nëntor të vitit të shkuar. Bëhet fjalë për përgjigjen ndaj një letre të gjatë urimi të dërguar për Obamën nga Presidenti iranian, Mahmud Ahmedinexhad më 6 nëntor, vetëm dy ditë pas shpalljes së emrit që fitoi zgjedhjet presidenciale amerikane.

Diplomatë të adminsitratës "Obama" thanë për "The Guardian" se letra përbënte një gjest simbolik për të shënuar distancimin nga tonet e ashpra që përdori vazhdimisht administrata "Bush", e cila e portretizoi Iranin si "aksi i së keqes". Ajo ka si synim që të zbusë mosbesimin e liderëve iranianë, si dhe të krijojë mundësinë që Obama të hapë dialog të drejtpërdrejtë me ta, një kthesë shumë e fortë në raport me politikën e deritanishme.

Zyrtarët e Departamentit të Shtetit kanë përgatitur të paktën tre drafte për këtë letër, përmes së cilës jepet siguria se Uashingtoni nuk ka ndërmend të rrëzojë regjimin islamik, por se kërkon të shohë ndryshime. Letra do t‘i adresohet popullit iranian dhe do t‘i dërgohet personalisht Ajatollah Ali Khameneit, liderit suprem të Iranit.

Një prej draft propozimeve i sugjeron Iranit të krahasojë standardin relativisht të ulët të jetesës me disa prej fqinjëve që qëndrojnë më lart ekonomikisht, si dhe të shqyrtojë me kujdes pasojat e dëmtimit të imazhit në Perëndim. Edhe pse tonet janë pajtuese, në draft kërkohet fundi i asaj që Shtetet e Bashkuara të Amerikës e konsiderojnë sponsorizim të terrorizmit. Letra po konsiderohet nga Hilari Klinton, sekretarja e re e Shtetit, si pjesë e rishikimit total të politikave me Iranin. Vendimi për dërgimin e saj pritet të merret pasi letra të shqyrtohet në çdo detaj.

Në një intervistë të dhënë të hënën në rrjetin televiziv "Al Arabia", Obama la të kuptohej për afrimin e politikave më miqësore kundrejt Republikës Islamike të Iranit. Ahmedinexhad tha para dy ditësh se po priste me qetësi për të parë zgjidhjet që do t‘i paraqiste administrata "Obama". "Do t‘i dëgjojmë qëndrimet me shumë vëmendje, do t‘i studiojmë me shumë kujdes lëvizjet e tyre dhe, në rast se do të vërejmë ndryshime të vërteta, do t‘i mirëpresim", u shpreh Presidenti.

Ahmedinexhad, i cili konfirmoi edhe vullnetin për të rikandiduar në garën presidenciale të kësaj vere, tha se nuk dinte të thoshte me siguri nëse administrata "Obama" thjesht po ndërron taktikë, apo po kërkon me të vërtetë ndryshime thelbësore. Ai i bëri thirrje Uashingtonit t‘i kërkojë falje Iranit për veprimet e këtyre 60 viteve të fundit, përfshi edhe mbështetjen amerikane për grushtin e shtetit të vitit 1953, i cili rrëzoi qeverinë e zgjedhur në rrugë demokratike në këtë vend, si edhe rrëzimin nga forcat ajrore amerikane të një avioni iranian pasagjerësh në vitin 1988.

Departamenti amerikan i Shtetit nuk pranoi të lëshonte ndonjë koment mbi këto drafte. Shqetësimet e amerikanëve mbi Iranin në pjesën më të madhe përqendrohen te programi i pasurimit nuklear, i cili, sipas Uashingtonit, ka qëllime ushtarake dhe jo civile.

Lëvizjet diplomatike kanë marrë një shtysë të fortë nga frika se Izraeli mund të marrë me vete vendimin për të bombarduar pikat strategjike ku shteti iranian po zhvillon industrinë nukleare. Shkalla e problemit me të cilën duhet të përballet Presidenti i ri amerikan u përkeqësua edhe më tej kur, para dy ditësh, Aliakbar Javanfekr, një prej ndihmësve më të afërt të Ahmedinexhadit tha se, pavarësisht thirrjeve të amerikanëve, Irani nuk ka ndërmend të ndalë aktivitetin nuklear. I pyetur mbi një rezolutë të OKB-së për pezullimin e pasurimit të uranit, Aliakbar Javanfekr, këshilltari presidencial për shtypin tha: "E kemi lënë pas atë fazë".

Një prej shqetësimeve më të mëdha të Iranit sillet përreth dyshimit se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërmarrë veprime të fshehta për të rrëzuar qeverinë e këtij vendi, përfshi edhe mbështetjen e grupeve separatiste në zona si Kurdistan, Sistan, Balukestani dhe Kuzestani. Departamenti amerikan i Shtetit ka mohuar në mënyrë të përsëritur bashkëpunimin me të tilla grupe.

Gjatë ditëve të fundit në pushtet, administrata "Bush" planifikoi hapjen e një seksioni interesi për Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Teheran, kryeqytetin e Iranit. Kondolesa Rais, sekretarja e Shtetit nën administratën "Bush" tha se kjo nuk u bë e mundur, pasi interesi u zhvendos tërësisht drejt konfliktit Rusi-Gjeorgji. Sipas të tjerëve, mësohet se plani dështoi prej kundërshtimeve të forta të ardhura nga mbështetësit e linjës së fortë në administratën "Bush".

Ideja ka dalë sërish në sipërfaqe, por kjo nxjerr nevojën për përfaqësimin e përhershëm diplomatik në Iran, të paktën për terma të shkurtra kohorë.

Ndërsa Obama po merr në dorë politikat me Iranin, administrata amerikane shpejt do të shpallë diplomatin Denis Ros në cilësinë e të dërguarit special në vend, i cili pason emërimin e Xhorxh Mitçëll, negociatorin veteran amerikan, si i dërguar i posaçëm në Lindjen e Mesme dhe Riçard Holbruk, i cili ndihmoi në arritjen e paqes në Bosnjë, si i dërguari special në Pakistan dhe Afganistan.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›