E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur një gazetar "gjunjëzoi" Presidentin

"Po, e tradhtova popullin amerikan dhe ndërgjegjja ime është e detyruar ta pranojë këtë gabim deri sa të vdes. Jeta ime politike mori fund". Fytyra e zbehtë e Frank Langella humbet para ekranit, ndërsa pëshpërit me ashpërsi dhe mosbesim ato fjalë dramatike. Ai pranon fajin, pavarësisht se sa poshtëruese mund të jetë kjo gjë. Në një mbrëmje vere të vitit 1977, Richard Nixon tronditi 45 milionë telespektatorë amerikanë, duke rrëfyer atë që kishte refuzuar gjithmonë ta bënte, kur tre vite më parë, më 9 gusht të 1994-ës, kishte pranuar të jepte dorëheqjen nga detyra si Presidenti i 37-të i Shteteve të Bashkuara, për të mos u akuzuar dhe për të mos u ngarkuar me faj pas skandalit të "Watergate".

Filmi "Frost/Nixon" është një ristrukturim tronditës, ngacmues si një triller, i cili tregon se si u arrit tek ajo intervistë dhe në fund tek ai rrëfim i papritur shokues; roli i tij dominues në raportet mes informacionit dhe pushtetit, midis pushtetit dhe popullit, midis së vërtetës dhe manipulimit, mes lirisë dhe skllavërimit.

Filmi, i cili ka marrë pesë kandidatura për "Oskar" dhe drejtohet nga Ron Howard, ka "lindur" nga një dorëshkrim teatral i Peter Morgan, një autor gjenial për të treguar figura të ndërlikuara si Elisabeta II ("The Queen") ose Idi Amin Dada ("The last king of Scotland"). Ai ka si protagonistë aktorët Frank Langella dhe Michael Sheen (Tony Blair te filmi "The Queen") në rolin e David Frost, i cili sot është një baron mondan 70-vjeçar, ndërkohë që në kohërat e duelit me Nixon Frost ishte një djalosh anglez që të rrëmbente zemrën. Filmi tregon sesi arriti të hynte aty ku gazetarët e mëdhenj kishin dështuar: të nxirrte nga strofulla Presidentin pas tre vjetësh izolim dhe ta bindte që të jepte një intervistë televizive me katër seri për punën e tij, që nga marrja e detyrës, duke filluar me sukseset, fundi i luftës në Vietnam, shkrirjen bërthamore me Bashkimin Sovjetik, rihapja e marrëdhënieve me Kinën e deri te turpi i pashlyeshëm i "Watergate".

Frost-Sheen që fluturon në klasin e parë dhe bën jetë mondane, e dëshiron me çdo kusht atë intervistë për të zhvilluar karrierën e tij jo shumë të suksesshme. Nixon-Langella, i cili është i etur për para dhe bën një jetë të vetmuar, të mërzitshme e plot mllef në një vilë në San Klemente, pranon të japë intervistën, sepse i ofrojnë 600 mijë dollarë (që fatkeqësisht Frost nuk kishte arritur t‘i mblidhte) dhe sepse shpreson që në fund të fundit e gjithë kjo nuk është një rrezik.

Pasi u vendos takimi, fillojnë përgatitjet për intervistën e rëndësishme. Pas këtij lajmi, do të pasojnë muaj të tërë pune, me një ekip profesionist, duke bërë kërkime mbi temat që do të diskutoheshin, me qëllimin e vetëm që në fund, njëri prej të dyve do të ishte fitues. Në tri seritë e para "të duelit" transmetohen bisedat ngacmuese mes njëri-tjetrit. Në serinë e katërt, Fros-Sheed hidhet në sulm dhe e akuzon Nixon-Langella: veprat e ish-presidentit nuk ishin gabime të thjeshta, por abuzim i jashtëligjshëm me pushtetin, ose më saktë krime për të cilat duhet t‘i kërkonte falje vendit. Në këtë pikë, i zënë ngushtë dhe për t‘u shfajësuar nga gënjeshtrat e tij, Nixon-Langella vendos të flasë: "Po, kam bërë gabime, gabime të tmerrshme, sigurisht që janë të pa tolerueshme për një President. Ndjej keqardhje, askush nuk mund ta kuptojë se çfarë do të thotë të japësh dorëheqjen nga Presidenca. Ia bëra gropën vetes...". Në SHBA, ishte një kohë e artë për të gjithë, për gazetarët, televizionin, politikanët, madje dhe për presidentët. Presidenti kishte vendosur që të respektonte ish-postin e tij, të vërtetën, popullin. Kishte vendosur të mos refuzonte asnjë pyetje, sado e sikletshme të ishte, do të tregohej i sinqertë. Në fund, përballja Frost/Nixon nxori një fitues.

Në gazetën angleze "Telegraph", Peter Morgan, kandidati i "Oskarit" për skenarin, ka shkruar se ky nuk duhej të ishte një film politik, por u bë i tillë me ardhjen e Obamas në Shtëpinë e Bardhë. Por duke u krahasuar me përgjegjësitë e Nixon, ato të Bush janë shumë më të rënda, shkruan Morgan. Filmi Frost/Nixon na kujton se nuk është e thjeshtë të falësh.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›