Administrata e kryeministrit, favorite në listat për deputetë
Eljona Ballhysa
Anëtarët e stafit të ngushtë të kryeministrit Sali Berisha pritet të jenë favoritë në listat e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike. Po kështu mësohet se edhe anëtarët e Komitetit të Orientimit të Politikave do të kenë shumë më tepër shanse për t’u përfshirë në vendet e para të listave të PD-së. Kjo shihet dhe në taktikën që ka përdorur gjithmonë kreu i qeverisë në promovimin mediatikisht të figurave që më pas u jep poste dhe më tepër pushtet. Burime pranë PD-së kanë bërë të ditur për gazetën se Berisha do të përfshijë në listat e PD-së disa nga këshilltarët e tij, të cilët kanë rezistuar gjatë këtyre katër viteve në pushtet. Po kështu, kreu i qeverisë do të rikandidojë deputetët e ardhur nga Komiteti i Orientimit të Politikave dhe ndonjë zëvendësministër apo drejtor të Përgjithshëm, i cili ka dhënë prova për një karrierë politike.
Favoritët
Favorit për t’u përfshirë në listat e kandidatëve për deputetë mësohet se është drejtori i kabinetit të kryeministrit, Arben Imami. Imami është një ndër figurat që ka kontribuar prej vitesh në PD dhe pas një largimi ai u rikthye sërish duke i shërbyer kryeministrit Berisha në postin e drejtorit të kabientit qeveritar. Imami ka treguar prej kohësh se ka ambicie për një karrierë politike. Një tjetër figurë që pritet të përfshihet në listën e PD-së është edhe Gjergj Lezhja, i cili aktualisht mban postin e sekretarit të Përgjithshëm të Kabinetit kryeministor. Edhe Lezhja njihet si person që ka dhënë kontribute në PD dhe pritet të promovohet nga kryetari i partisë në zgjedhjet e ardhshme. Një figurë tjetër që vjen sërish nga stafi i ngushtë i Berishës është Suzana Guxholli, e cila mban postin e këshilltares për çështjet ekonomike. Zonja Guxholli është parë së fundmi në disa emisione televizive me natyrë politike. Burimet bëjnë të ditur se Guxholli është favorite për t’u bërë kandidate për deputete e PD-së. Kryetari i selisë blu mendohet se do të përfshijë në listë dhe emrin e Gjergj Bojaxhiut, i cili aktualisht mban postin e drejtorit të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare. Ky i fundit është promovuar së fundmi si një kandidat favorit edhe për postin e kryetarit të PD-së së Tiranës dhe përfshirja e tij në politikë duket e afërt.
Sipas burimeve duke u nisur dhe nga kuota prej 30% e përfshirjes së femrave në listat për kandidatë për deputetë, do të jenë të shumta femrat që do të favorizohen nga Berisha. Kështu përflitet për përfshirjen e zëdhënëses së kryeministrit, Juela Meçani, si dhe për një kandidim të mundshëm të zëvendësministres së Jashtme Edith Harxhi. Po kështu, favorit mbetet dhe sekretari Organizativ në PD, Flamur Noka, si dhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Gent Strazimiri. Burimet bëjnë të ditur se nga deputetët aktualë të PD-së favoritë për të rikandiduar do të jenë anëtarët e KOP-it, si dhe figurat kryesore të partisë. Ndërkohë që rrezikojnë disa emra që pavarësisht viteve në PD së fundmi nuk janë promovuar nga kreu i qeverisë. Megjithatë, lista për kandidatët për deputetë është tagër i kryetarit të partisë dhe vendimet e Berishës gjithmonë kanë sjellë surpriza.
8 Nentor 2008