E Hënë, 2 Nëntor 2026

Meta: “Projektbuxheti i qeverisë, në funksion të fushatës elektorale të PD-së”

Kreu i LSI-së: “Qeveria nuk ka marrë asnjë masë në rast se Shqipëria preket nga kriza financiare”. Meta: “Projektbuxheti nuk jep zgjidhje për problemet më jetike

Shaban Sulçe

Ish-kryeministri dhe lideri i LSI-së, Ilir Meta, ka kritikuar projektbuxhetin e vitit 2009, të paraqitur nga qeveria. Meta tha se ky projektbuxhet i shërben vetëm fushatës elektorale të maxhorancës, duke anashkaluar zgjidhjen e problemeve jetike si dhe duke mos marrë parasysh rreziqet që mund t’i kanosen vendit si rezultat i krizës botërore financiare. “Kemi parë me vëmendje projektin e qeverisë për p/buxhetin 2009 dhe jemi të shqetësuar se qeveria nuk e ka kuptuar që bota është zhytur në një krizë financiare, e cila po kthehet në një krizë ekonomike. Jemi gjithashtu shumë të shqetësuar që p/buxheti 2009 vihet totalisht në funksion të zgjedhjeve të ardhshme politike”, - tha Meta në një deklaratë për shtyp, të bërë pas takimit që kreu i LSI-së pati me përfaqësues të FMN-së në vendin tonë.

Fushata elektorale

Kryetari i LSI-së e akuzoi kryeministrin Sali Berisha se me anë të projektbuxhetit të vitit 2009 synon të përdorë për interesat personale dhe politike fondet publike dhe paratë e shqiptarëve. Meta tha se qeveria aktuale po planifikon të sigurojë të ardhurat për të përballuar shpenzimet e Partisë Demokratike në fushatën elektorale. “Berisha vazhdon t’i përdorë fondet publike për interesat e tij personale apo politike. Nuk kemi rritje të të ardhurave si përqindje ndaj PBB, por kemi rritje të shpenzimeve duke çuar deficitin buxhetor rrezikshëm në nivelet e 5.3 % të PBB-së. Shpenzimet operative të një qeverie që thotë se është në dietë rriten 26% krahasuar me 2008-n. Kjo nuk është një qeveri në dietë, por një qeveri që kërkon t’i japë më shumë dieta, shpenzime karburanti apo makina të reja zyrtarëve që do të angazhohen në fushatë elektorale”, - tha kreu i LSI-së, i cili e kritikoi gjithashtu qeverinë “Berisha” për neglizhencë në mosmarrjen e asnjë mase në rast se Shqipëria preket nga kriza botërore financiare.

Problematikat
Duke analizuar përmbajtjen e projektbuxhetit për 2009-n, kreu i LSI-së tha se shumë probleme jetike për shqiptarët do të vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura. Meta tha se projektbuxheti i 2009-s nuk jep asnjë lajm të mirë për bujqësinë, sektorin me të cilin jeton shumica e popullsisë shqiptare. “Nuk ka aspak rritje fondesh për infrastrukturën bujqësore”, - tha kreu i LSI-së, i cili u shpreh kritik edhe përsa i përket zgjidhjes së problemeve në fushën e arsimit dhe të shëndetësisë. Meta e akuzoi gjithashtu kryeministrin Berisha se i mashtroi shqiptarët për rritjen në nivelin 50% të pagave, për shtrimin e 4 mijë km rrugë, për ndërtimin e apartamenteve për të pastrehët. “Parashikohet më 1 maj, një muaj para zgjedhjeve politike, një rritje pagash dhe pensionesh afërsisht 7%, pasi kemi hequr efektet e inflacionit. Kjo rritje pagash dhe pensionesh në vitin e fundit të mandatit qeverisës nxjerr në pah mashtrimin se do të dyfishoheshin pagat dhe pensionet në mandatin 4-vjeçar. Në 4 vjet mesatarja e rritjes së pagave dhe pensioneve është rreth 20%, pasi kemi hequr efektet inflacioniste. Berisha na gënjehu për 4 mijë kilometra rrugë, për 3 mijë apartamente për të pastrehët, për dyfishimin e pagave dhe pensioneve, për skemën e kafshatës, për moshën e internetit etj.”, - tha Meta. Ai deklaroi se LSI-ja është e gatshme të bëjë propozimet e veta për të ndryshuar projektbuxhetin e qeverisë.

8 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›