E Diel, 1 Nëntor 2026

Administrata gjyqësore nën kontrollin e ministrit të Drejtësisë



Shaban Sulçe

Qeveria “Berisha” po planifikon që të rrisë kontrollin e ministrit të drejtësisë ndaj administratës gjyqësore. Këshilli i Ministrave ka paraqitur dje projektligjin për “administratën tatimore”. Ky projektligj i firmosur nga kryeministri Berisha, synon të forcojë kompetencat e ministrit Alibeaj ndaj administratës gjyqësore, e cila është pjesë e rëndësishme e sistemit gjyqësor dhe që luan një rol të pamohueshëm në vetë dhënien e drejtësisë dhe garantimin e pavarësisë së gjyqësorit.

Kontrolli
Sipas nenit 2 të projektligjit të propozuar nga qeveria, ministri i Drejtësisë do të ketë të drejtë të kontrollojë veprimtarinë e administratës gjyqësore për zbatimin e akteve, ligjore dhe nënligjore. Kreu i dikasterit të drejtësisë do të ketë kompetencë që të kujdeset dhe të mbështesë veprimtarinë për përgatitjen, aftësimin dhe specializimin e personelit të administratës gjyqësore. Ai do të ketë të drejtë të miratojë me urdhër, përshkrimin, klasifikimin, dhe vlerësimin e pozicioneve të punës, procedurën e konkurimit, rekrutimin, ngritjen në detyrë, lëvizjen paralele, masat disiplinore dhe vlerësimin e rezultateve në punë të personelit të administratës gjyqësore, pas këshillimit me kryetarët e gjykatave e kancelarët. Ministri i Drejtësisë do të miratojë rregulloren për veprimtarinë e administratës gjyqësore për pranimin, mbajtjen dhe administrimin e akteve proceduriale, të provave, materiale dhe shkresore, të paraqitura pranë gjykatave, pasi të ketë marrë mendimin e kryetarëve e të kancelarëve të gjykatave. Projektligji i propozuar nga qeveria, i jep kompetenca ministrit të Drejtësisë, për të marrë masa dhe për të bashkëpunuar me Fakultetin e Drejtësisë, Shkollën e Magjistraturës dhe institucione të tjera, vendase ose të huaja, për çështje të përgatitjes profesionale, aftësimit dhe specializimit të administratës gjyqësore. Së fundmi, ministri i drejtësisë do të ketë të drejtë, të vendos për ankimimet për veprimtarinë e administratës gjyqësore.

Kryetari i gjykatës
Projektligji i Këshillit të Ministrave kufizon ndjeshëm kompetencat dhe veprimtarinë e kryetarëve të gjykatave. Sipas këtij projektligji kryetari i gjykatës duhet të ketë të drejtë vetëm të vërë në dijeni ministrin e Drejtësisë, për çështje të drejtimit administrativ të gjykatës. Kompetenca e dytë dhe e fundit e kryetarëve të gjykatave, sipas këtij projektligji është se në rastet kur ata vërejnë mospërmbushje të detyrave të administratës gjyqësore do t’i propozojnë kancelarit marrjen e masave përkatëse disiplinore. Nëse çështja nuk zgjidhet, kryetari i gjykatës i parashtron kërkesën ministrit të Drejtësisë, i cili duhet të përgjigjet brenda 10 ditësh.

Kancelari i gjykatës
Sipas projektligjit, kancelari është struktura më e lartë e administratës gjyqësore, në gjykatën, ku ushtron funksionet, i cili drejton, organizon dhe përgjigjet për veprimtarinë e përditshme të saj. Kancelari ka kompetenca për marrjen e masave dhe për krijimin e kushteve të nevojshme për mbështetjen dhe realizimin e gjykimit, pa ndërhyrje në veprimtarinë proceduriale dhe pavarësinë e gjykatave. Kancelari ka të drejtë të marr masat e nevojshme dhe urdhëron strukturat përkatëse administrative, sipas kërkesave të gjyqtarëve, për plotësimin e nevojave të tyre, në funksion të dhënies së drejtësisë. Kancelari do të administrojë marrëdhëniet e gjykatës me publikun dhe median. Ai do të mbikqyrë dhe drejtojë procesin e asgjësimit të provave materiale. Kancelari duhet të kujdeset për krijimin e kushteve lehtësuese për marrjen e informacionit nga publiku, në mënyrë të saktë, të plotë, në formën të përshtatshme dhe të shpejtë. Ai merr masa për mbajtjen dhe përpunimin, në baza, shkencore dhe arkivore të dokumentacionit administrativ. Kancelari ka për kompetencë të kujdeset dhe të administrojë pasurinë, e luajtshme dhe të paluajtshme, të ndërtesës së gjykatës, si dhe për marrjen e masave për sigurinë në këtë ndërtesë. Në bashkëpunim me kryetarin e degës, kancelari harton buxhetin dhe e paraqet për miratim, sipas legjislacionit për buxhetin gjyqësor, si dhe kontrollon dhe administronm zbatimin e buxhetit të gjykatës.

Relacioni i Alibeajt
Në relacionin shoqërues të projektligjit “Për administratën gjyqësore” të firmosur nga ministri i Drejtësisë, Enkeljed Alibeaj thuhet se hartimi i projektligjit është bërë nën asistencën ligjore të ekspertëve të Misionit Euralius dhe të ekspertëve të Këshillit të Europës, rekomandimet e të cilëve janë marrë në konsideratë dhe janë reflektuar në përmbajtjen e tij. Sipas këtij relacioni, projektligji plotëson kërkesën e partneritetit Europian, lidhur me statusin e administratës duke i ofruar asaj të njëjtat garanci që ofron statusi i shërbimit civil, punonjësve të administratës publike. “Konkretisht përcaktohen procedura të njëjta dhë të unifikuara për emërimin, zhvillimin e karrierës, largimin nga puna, masat disiplinore, vlerësimin e rezultateve në punë, të cilat do të ndikojnë në rritjen e performancës së administratës dhe shmangien e arbitraritetit në largimin nga puna, duke krijuar edhe një mekanizëm ankimi te Ministri i Drejtësisë të punonjësve të administratës. Dhe ajo çka është më e rëndësishme në përmirësimin e statusit të administratës, është ofrimi i një trajtimi financiar të njëjtë me atë të nëpunësve të shërbimit civil”, thuhet në relacionin shoqërues të projektligjit, të firmosur nga ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj.

17 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›