E Shtunë, 31 Tetor 2026

Administrata pakëson 96 punonjës

Këshilli i Ministrave rriti me 410 numrin e punonjësve sezonalë

Në kuadër të nismave për uljen e shpenzimeve, qeveria mori dje vendimin për të reduktuar me 96 persona numrin e përgjithshëm të administratës për vitin 2010. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë u vendos që numri i punonjësve për institucionet qendrore të jetë 89090 persona, nga 89186 që është aktualisht. “Numri i punonjësve buxhetorë, për vitin 2010, për ministritë dhe institucionet qendrore, është 89090 veta. Ngarkohen të gjitha ministritë dhe institucionet për zbatimin e këtij vendimi”, theksohet në vendimin e marrë dje nga Këshilli i Ministrave. Pritet që personat e shkurtuar në institucione dhe në ministri të jenë kryesisht shoferë dhe staf ndihmës, nisur edhe nga nevoja e qeverisë për të shkurtuar punonjësit në këto shërbime. Por nga ana tjetër, një tjetër vendim i marrë po dje, qeveria rrit numrin e punonjësve me kontratë, me 410 punonjës. Kështu, numri i tyre me vendimin e ri shkon në 1416, nga 1006 që ishte parashikuar në fillim të vitit. “Numri i punonjësve me kontratë të përkohshme për vitin 2010, në njësitë e qeverisjes qendrore, është 1416 veta. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga shpenzimet korrente, të miratuara në buxhetin përkatës të vitit 2010, të njësive të qeverisjes qendrore”, theksohet në vendim. Nga ana tjetër, qeveria ngarkon Ministrinë e Financave që të detajojë në mënyrë përfundimtare numrin e punonjësve që i shtohen çdo institucioni, apo ministrie. Ky numër punonjësish pritet të vendoset si staf mbështetës për detyrimet e reja që pritet të plotësojë qeveria edhe për institucionet e reja të krijuara si kusht për liberalizimin e vizave.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›