E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngjela: Prishja me SHBA-në, loja e Berishës

Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare dhe ligji i SHISH-it, në një ditë

Ajo çfarë ndodhi në Shqipëri, në Kosovë dhe në Hagë më 22 korrik, duket se dominohet nga zhvillime politike që shkojnë më thellë sesa leximi i drejtpërdrejtë i deklarimeve zyrtare. Politikani Spartak Ngjela, kryetar i Partisë për Ligj dhe Drejtësi, analizon në këtë intervistë të shkurtër arsyet e veprimeve të kreut të qeverisë në një datë që më vonë u cilësua prej tij si historike.

Z. Ngjela, ju jeni një deputet dhe politikan me përvojë në Shqipëri, ndaj do të ishte e dobishme për opinionin të dinte se si “e lexoni” ju zhvillimin parlamentar dhe politik të dy ditëve të fundit, në një ditë edhe ligji i SHISH-it në Parlament, edhe procesi i pavarësisë së Kosovës në Hagë?

Kanë lidhje që të dyja. Kanë qenë të shumta ato shtete që kanë pritur që të fitonte padia serbe. Edhe Sali Berisha këtë ka pritur. Madje ka qenë i bindur, prandaj gjeti rastin që ta fuste pikërisht atë ditë, madje jashtë procedurës ligjin e SHISH-it, në mënyrë që t'i jepte edhe ai një goditje NATO-s dhe Amerikës, bashkë me Hagën. Por ra brenda, se ndodhi e kundërta, dhe tani po i vjen festja vërdallë. Si mendoni ju, a ka mundësi që një Kryeministër shqiptar të dalë kundër NATO-s dhe SHBA-së kur dihet se në Hagë ishin ato të dyja në lojë bashkë me pavarësinë e Kosovës? Ja, ky është Kryeministri që kemi, një njeri i dyshimtë, që urren popullin e vet. Vetëm një naiv nuk e kupton se çfarë kishte në mendje të luante. Por dështoi dhe opinioni, bashkë me manipulimin e zgjedhjeve dhe rrënimin ekonomik që ka sjellë, duhet ta flakë urgjent. Nuk ka më çfarë të pritet. Ajo opozitë që nuk merr flamurin e rrëzimit të shpejtë të Sali Berishës, nuk është me popullin, me historinë demokratike dhe me zhvillimin e Shqipërisë.

Si do e komentoni ju deklarimin e ministrit të Jashtëm në seancë plenare, se "ndërkohë që pritet vendimi i GJND-së, futja në rend dite e ligjit për SHISH-in është e nxituar"? A duhet të besojmë se ka një marrëdhënie mes zhvillimeve në Tiranë dhe atyre për Kosovën? A vlen në këtë logjikë edhe çështja e masakrës së Tivarit, e hapur së fundmi?

Ministri i Jashtëm u distancua. Kjo është e rëndë për Saliun. Nuk pati aq kurajë që, për interesa të ngushta fitimesh apo pushteti, të shkelte mbi historinë europiane të shoqërisë së vet, domethënë të Shqipërisë.

Mendoni se Berisha do të tërhiqet për ligjin e SHISH-it?

Të presim. Tani gjithçka është e zbuluar. është ajo që ju thashë pak më lart, dhe nuk është e rasti që Sali Berishën edhe në Europë e mbështet pikërisht politika e atyre shteteve që dikur kanë përkrahur Millosheviçin dhe politikën serbe kundër shqiptarëve.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›