Dështon ngritja e universitetit për administratën publike
Qeveria nuk arriti të ketë gati për këtë vit akademik universitetin e administratës publike, projekt të cilin Kryeministri Berisha e kërkoi në muajin mars nga ana e ministrit të Arsimit dhe atij të Brendshëm. Burimet pranë këtyre ministrive bëjnë të ditur se mosrealizimi i këtij objektivi të shprehur qartë nga Kryeministri Berisha në një mbledhje qeverie nuk u arrit të realizohej për shkak të mungesës së fondeve për këtë vit, si dhe vështirësisë për të vendosur në jetë një projekt të tillë ambicioz. Burimet bëjnë të mundur se puna për këtë projekt i cili duhej të niste që në fillim të muajit prill ende nuk ka nisur dhe se zbatimi i tij ka brenda shumë sfida të pamarra parasysh në fillim. Po kështu, burimet theksojnë se realizimi i një projekti të tillë kërkon minimalisht katër deri në pesë vite kohë. Në një mbledhje qeverie të marsit të këtij viti, kreu i qeverisë kërkoi hapjen në këtë vit akademik të universitetit të administratës publike, duke kërkuar nga ministri i Arsimit dhe ai i Brendshëm përcaktimin e modelit më të mirë për këtë universitet, përmes studimit të modeleve më të suksesshme të vendeve të Bashkimit Europian. Ngritja e një strukture të tillë konsiderohet si tepër e nevojshme në kuadër edhe të kërkesës së Shqipërisë, për të pasur statusin e vendit kandidat pranë Bashkimit Europian. Në këtë kuadër, ngritja e këtij universiteti është një domosdoshmëri për të trajnuar, kualifikuar dhe shkolluar punonjësit e administratës publike. Sipas Berishës, aktualisht në vend ekziston një institut trajnimi pranë Departamentit të Shërbimit Civil, por me gjithë përpjekjet e bëra që ky institut të marrë të gjithë funksionin e vet, kjo nuk është arritur, për faktin e thjeshtë se vetë departamenti nuk e ka të thjeshtë t’i zhvillojë dhe konsolidojë atributet arsimore edukative të një shkolle të mirëfilltë. Por ndonëse përpjekjeve dhe dëshirës për një universitet të tillë, duket se mundësia e Shqipërisë është ende e pamjaftueshme për kthimin e tyre në realitet.
#