SHBA përsërit qëndrimin kundër ndryshimeve në SHISH
Shtetet e Bashkuara të Amerikës qëndrojnë të palëkundur nga qëndrimi i tyre kundër ndryshimeve në ligjin e SHISH-it. Kjo u bë e qartë dje nga ana e ambasadorit amerikan në Tiranë, Xhon Uidhers, gjatë një vizite në Kukës. “Lidhur me Shërbimin Informativ Kombëtar, ajo që unë mund të them është se qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është i njohur. Atë mund ta gjeni edhe në faqen tonë në internet”, theksoi Uidhers në mënyrë të prerë, i pyetur në lidhje me rifutjen e këtij drafti në punimet e Kuvendit. Kështu, ambasadori në largim i SHBA-së në Tiranë, Xhon Uidhers, ka zhvilluar një udhëtim lamtumire në Kukës me rastin e përfundimit të mandatit të tij si ambasador në vendin tonë. Ky udhëtim bëhet një ditë mbas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, e cila u shpreh të enjten se pavarësia e Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe si e tillë përbën një aspiratë të ligjshme të popullit shqiptar. Ambasadori Uidhers, i kënaqur për këtë arritje, tha se nuk mund të ikte nga Shqipëria, ku ai shërbeu për disa vite si ambasador, pa udhëtuar edhe një herë në Kukës. Siç u shpreh ambasadori, liria dhe pavarësia e Kosovës është e lidhur edhe me rolin e Kukësit në krizën e vitit 1999, kur qyteti priti në familjet e veta më shumë se gjysmë milioni banorë të dëbuar nga Kosova. “Roli i Kukësit në atë kohë dhe bujaria e pashembullt bënë që ky qytet të propozohet për çmimin ‘Nobel’ për paqe”, tha ambasadori. Po kështu Uidhers u shpreh se më shumë është i ndikuar ai nga Shqipëria dhe shqiptarët, sesa ai ka ndikuar tek ata dhe se largohet i emocionuar nga ky vend. “Largohem si një shqiptar”, tha me mirënjohje ambasadori.
#