E Diel, 1 Nëntor 2026

Administrata shqiptare do jetë një nga administratat më transparente të rajonit

07-06-2012 / Gazeta 55

Aktet dixhitale do zëvendësojnë praktikat shkresore të administratës në raport me qytetarin dhe biznesin

Kryeministri Sali Berisha theksoi dje se pas projektit të kabinetit dixhital, AKSH ka realizuar fazën tjetër shumë të rëndësishme të e-kabinetit që është aktet dixhitale. Kryeministri shpjegoi se ky proces shtrin praktiken dixhitale në 1300 punonjës të administratës, duke filluar nga specialisti i thjeshte ku nis akti, deri tek Këshilli i Ministrave ku merr miratimin përfundimtar.
Duke vlerësuar se projekti përbën një arritje të madhe serioze drejt shndërrimit të praktikave shkresore të administratës, në praktika tërësisht elektronike dhe transparente, të cilat bëjnë të mundur një transparencë të plotë të akteve, projektligjeve që miraton qeveria, Kryeministri bëri të ditur se ky projekt do të shtrihet në të gjithë të gjithë veprimtarinë e administratës shqiptare qendrore dhe lokale për të lehtësuar maksimalisht komunikimin e qytetareve shqiptare me administratën e tyre.
 Kryeministri vlerësoi se projekti do të ketë një rëndësi të jashtëzakonshme për biznesin shqiptar, i cili në çdo kohë do të mund të ndjeke rrugën e dokumenteve që dorëzon, ti kontrolloje ato, të shohë se si ecin ritmet dhe afatet e shqyrtimi të tyre.
“Ky projekt do ta bëjë administratën shqiptare një nga administratat më transparente të rajonit dhe të planetit dhe në mënyrë absolute do të ndikojë fuqishëm në përgjegjshmërinë  e saj në raport me qytetarin, në raport me biznesmenin”, tha kryeministri Berisha.
Duke falënderuar të gjithë ata punonjës që po shndërrojnë në realitet çdo ditë  e më shumë ëndrrën e bukur të Shqipërisë dixhitale, Kryeministri u shpreh se janë 125 projekte dixhitale me të cilat synohet që Shqipëria në 100 vjetorin e saj të jetë një Shqipëri transparente, e cila shfrytëzon teknologjinë më të lartë dhe praktikat më të shpejta në shërbim të qytetarëve të saj.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›