E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Taksa të ulëta për të shpëtuar nga kriza - taksa progresiste, relike e marksistëve”

07-06-2012 / Gazeta 55

Kryeministri merr pjesë në konferencën ekonomike të Bankës Islamike për Zhvillim

Shqipëria gëzon potenciale të shumta për investime dhe ka bërë përpjekje të mëdha për të krijuar klimën më të mirë të biznesit.
Kështu u shpreh kryeministri, Sali Berisha në konferencën ekonomike të Bankës Islamike për Zhvillim, ku i mëshoi me forcë faktit se shifrat tregojnë qartë për një klime të favorshme për investime. Ndërkohë, kreu i qeverisë nuk mund të mos bënte vlerësimet maksimale për këtë bankë si një partner të rëndësishëm për transformimin e vendit. “Këto 20 vite, Banka Islamike për Zhvillim ka qenë për Shqipërinë e shqiptarët një partner i shkëlqyer, i cili ka financuar me dhjetëra e dhjetëra projekte në të gjitha fushat e sektorët e rëndësishëm, nga furnizimi me ujë tek trajtimi i ujërave, nga vaditja tek rrugët e autostradat, nga shkollat tek qendrat shëndetësore. Këto projekte shtrihen në të gjithë vendin dhe janë shndërruar në faktorë të rëndësishëm të transformimeve që ka njohur Shqipëria, në këto 20 vite. Në kurorën e bashkëpunimit të Shqipërisë me Bankën Islamike do të mbetet segmenti më i rëndësishëm i Korridorit të 8-të, autostrada Tiranë-Elbasan, e cila ndryshon në mënyrë thelbësore kushtet e lëvizjes dhe transportit jo vetëm për mbi 1.2 milionë shqiptarë që do të vijnë në kryeqytetin e tyre duke kursyer më së paku një orë, por edhe për Republikën e Maqedonisë dhe qytetarët e saj, të cilët do mund të vijnë në Tirana apo drejt porteve të Shqipërisë në një kohë më të shkurtër e në kushte shumë më të favorshme”, u shpreh kryeministri Berisha.
Në këtë funksion kreu i qeverisë rikujtoi bashkëpunimin e rëndësishëm me këtë bankë për segmentin e korridorit të 8 dhe autostradën Tiranë-Elbasan. Por duke iu referuar zhvillimeve ekonomike, Kryeministri Berisha vlerësoi se në themel të krizës qëndrojnë taksat progresive pasi sipas tij kjo taksë kufizon investimet si dhe mundësinë e rritjes së vendeve të punës. “Një barrë tjetër rëndon mbi biznesin kudo në botë dhe kjo është barra fiskale. Qeveria shqiptare beson se taksat e ulëta janë zgjidhja, janë mjeti më i mirë për t’u mbrojtur nga kriza. E themi këtë, sepse nga kjo krizë e madhe e krijuar nga faktorë të shumtë – kriza është multifaktoriale – ka një dhe vetëm një rrugëdalje: të korrigjohen politikat e gabuara zyrtare dhe të mbështetet fuqishëm biznesi. Unë kam bindjen më të thellë se në themelet e kësaj krize qëndrojnë taksat e larta, taksa progresive. Nuk u nxorën kurrë mësime se nga marksizmi nuk mund të ketë të mira! Ndonëse në Europë, ai ra si sistem, taksa progresive u ruajt si një relikt i doktrinës marksiste. Taksë që imponon informalitetin; taksë që kufizon potencialet investuese; taksë që kufizon mundësinë e rritjes së vendeve të punës. Ndaj edhe ne vendosëm taksën e e sheshtë, me besimin më të madh se ky është interesi më i mirë i qytetarëve shqiptarë dhe i biznesit në këtë vend. Edhe në këtë periudhë jo të lehtë nuk mendojmë të rrisim taksat, por mendojmë e do të mendojmë si të ulim ato më tej, si t’ju mbështesim juve më shumë. Në fund të fundit, janë burokracitë që sëmurën bizneset, janë praktikat e gabuara që rënduan mbi bizneset, janë sharlatanizmat financiare që sollën këtë krizë. Biznesi si i tillë, ekonomia reale përballet me faktorë, të cilët nuk i krijoi vetë, por ia imponuan. Këtu e shohim ne, rrugën përballimit të kësaj krize që ka pllakosur sot, rajonin e më gjerë”, theksoi kreu i qeverisë.
Madje, në këtë kontekst, Kryeministri premtoi privimin nga taksa për 8 vjet, të investitorëve të huaj që do të investojnë në zonat malore të vendit. Njëkohësisht, kreu i ekzekutivit apeloi për më tepër investime në vendin tonë.
“Ne kemi hequr vizat për Kuvajtin, Emiratet e Bashkuar, Katarin dhe të për të gjithë ato vende mike të këtij rajoni. Unë ju ftoj ju të investoni në Shqipëri. Ju garantoj se do të gjeni kushte të favorshme dhe do të gjeni një qeveri që në përputhje me ligjet e vendit të bëjnë gjithçka për një klimë më të favorshme në mënyrë që ju të regjistroni një histori suksesi në Shqipëri”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Ndërkaq dhe autoritete e larta financiare dhe monetare shqiptare deklaruan para investitorëve të huaj, se Shqipëria është tashmë një vend me ekonomi të qëndrueshme falë politikave të ndjekura, duke dhënë kështu garanci për investimet e huaja.
Gjatë fjalës së tij përfaqësuesi i Bankës Islamike, Al Aboodi, deklaroi se organizmi financiar që ai përfaqëson, do të vijojë të investojë në Shqipëri, si dhe do të mbështesë rritjen e saj ekonomike.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›